Dy punëtorë të minierës "Trepça", Erson Rrustemi dhe Përparim Beqiri, janë lënduar mbrëmjen e 22 nëntorit 2025 gjatë kryerjes së detyrave të tyre në horizontin e dhjetë të minierës.

Sipas njoftimit zyrtar të kompanisë, incidenti ka ndodhur rreth orës 20:20, në momentin kur punëtorët po kryenin fryerjen e gomës së një kamioni.


Gjatë procesit, goma ka shpërthyer dhe siç njofton "Trepça" pluhuri i saj ka shkaktuar lëndime në sytë e punëtorëve.

Pas incidentit, punëtorëve u është ofruar ndihma e parë në vendin e ngjarjes, e më pas ata janë dërguar në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, ku kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe janë liruar në shtëpi.

"Trepça" ka njoftuar se menjëherë pas marrjes së informacionit për lëndimin e punëtorëve, ka informuar zyrtarisht Inspektoratin e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM).

Po ashtu, kompania ka formuar një Komision të Brendshëm hetimor, i cili ka dalë në vendin e ngjarjes për të vlerësuar rrethanat e incidentit dhe është duke përgatitur raportin zyrtar.

Në njoftim, "Trepça" thekson përkushtimin për sigurinë në punë, duke deklaruar se vazhdimisht ndërmerr masa parandaluese dhe investon në trajnimin e punëtorëve për të minimizuar rreziqet. /Telegrafi/