Dy gola në dy ndeshje, Ermal Krasniqi po e blindon pozitën e startuesit te Kosova

Kosova e ka kompletuar këtë tetor me dy fitore nga dy ndeshje, duke mposhtur edhe Qipron me rezultat 3-0, pas fitores ndaj Lituanisë që erdhi javë më parë me rezultat 2-1. Por ai që bie në sy është forma e shkëlqyer e treguar nga anësori i Sparta Pragës, Ermal Krasniqi, i cili gjeti rrjetën në dy raste në ndeshjet e tetorit. Në ndeshjen e parë ndaj Lituanisë, Ermal Krasniqi u fut në fushë në minutën e 59-të duke e zëvendësuar Florent Muslijën. Ai arriti të shënojë pas gjashtë minutave sa ishte në fushë, pas asistimit të Milot Rashicës për rezultatin 2-0.

“Të shënosh për përfaqësuesen tënde është një ndjenjë shumë e veçantë. Edhe për mua ishte ndjenjë e veçantë. Ju premtoj të gjithë tifozëve ‘Dardanë’ që nuk do të ndalem me kaq, shpresoj që të vazhdoj dhe të shënoj gola për përfaqësuesen tonë”, kishte thënë Krasniqi, i cili shpejt e mbajti fjalën. Forma e mirë e treguar ndaj Lituanisë, ia siguroi Ermal Krasniqit një fanellë titullari për ndeshjen ndaj Qipros në “Fadik Vokrri”. Sikurse në ndeshjen e parë, ai edhe ndaj Qipros arriti të shënojë golin e dytë për “Dardanët”, duke i dhënë skuadrës siguri.




















































