Transformimi befasues - nga hapësirë e zakonshme në një oazë relaksi

I frymëzuar nga udhëtimet e tij në Indonezi, projektuesi dhe ndërtuesi Paul Linnebach nga Mantis Design + Build krijoi një oazë të vërtetë natyror në zemër të një shtëpie në Minneapolis, për pronarin e saj, një adhurues i madh i stilit aziatik dhe i udhëtimeve


Gjatë vizitave të tij në Bali, projektuesi vuri re se banjot dhe dushet që përdoren nga banorët e ishullit janë shumë të lidhura me natyrën përreth, madje bëhen pjesë e saj, dhe ai dëshironte të përcillte e të rikrijonte një përvojë të tillë në një shtëpi amerikane.

Gjatë rinovimit, një vaskë e madhe këndore që përdorej rrallë u hoq dhe u zëvendësua me një dush të bollshëm dhe luksoz, duke e transformuar banjën jopraktike në një oazë që i përshtatet për mrekulli ritmit dhe stilit të jetesës së pronarit të shtëpisë.

Një mur i vogël që ndante vaskën dhe tualetin nga pjesa tjetër e banjës u hoq gjithashtu, për të hapur hapësirën, transmeton Telegrafi.

Zona e dushit ndodhet drejtpërdrejt nën dritaren e çatisë. Një dush i madh, me një diametër prej 40 centimetrash, qëndron në qendër të xhamit të dritares dhe krijon ndjesinë e larjes në natyrë, nën qiellin e hapur.

“Ideja e pazakontë dhe e bukur e vendosjes së dushit në dritaren e çatisë e bëri këtë banjo të gjallë dhe luksoze. Rreziku që morëm rezultoi i suksesshëm - pronarit i pëlqeu shumë dhe kjo u bë pjesa e tij e preferuar në të gjithë banjën”, thotë Linnebach.

Pllakat me pamje druri, të vendosura në dysheme, mure dhe tavan, krijojnë një ambient luksoz dhe natyror. Duke përdorur këtë material, u shmang nevoja për dru natyror, i cili është jopraktik për mirëmbajtje në dhoma me lagështi. Një valvul e fshehur u ndërtua në dritaren e çatisë për të parandaluar grumbullimin e lagështisë.

Një tjetër element i papritur në banjë, që i dha hapësirës një pamje të jashtëzakonshme, janë bimët e gjalla – sukulentë të vendosur në vazo muri prej porcelani, të realizuara posaçërisht për këtë ambient të brendshëm. Edhe raftet për kozmetikë, qirinj dhe dekor u krijuan me porosi.

Sipër lavamanit ndodhet një seri topash qelqi – një llambadar nga Bocci – që i sjell një prekje luksi hapësirës relaksuese të banjës. /Telegrafi/