Durmishi i reagon Komunës së Prishtinës për rrugën "Mon Balaj": Nuk është përgjegjësi e ministrisë

Ministri në detyrë i Infrastruktures, Hysen Durmishi, ka reaguar lidhur me situatën në segmentin e rrugës “Mon Balaj”, në Kodrën e Trimave, duke theksuar se mirëmbajtja e këtij segmenti nuk i përket Ministrisë së Infrastrukturës, Por Të Punëve dhe Transportit (MMPHI).
“Nuk është e vërtetë se segmenti i rrugës ‘Mon Balaj’ është në përgjegjësi të MMPHI-së për mirëmbajtje”, ka shkruar ministri në një postim në Facebook.
Ai shton se: “Jemi të përgatitur dhe plotësisht të përgjegjshëm për mirëmbajtjen e rrugëve që janë në kompetencë të Ministrisë gjatë sezonit dimëror. Mbrëmë, me fillimin e reshjeve të borës, ekipet tona janë aktivizuar menjëherë dhe kanë hedhur kripë në të gjitha rrugët nën përgjegjësinë tonë, me qëllim të garantimit të qarkullimit të sigurt dhe të papenguar”.
Ministri Durmishi ka sqaruar se segmenti i rrugës “Mon Balaj” është nën përgjegjësinë e Komunës së Prishtinës, e cila ka ndërhyrë duke vendosur pengesa, ndërsa MMPHI është përgjegjëse për segmentin rrugor nga Bernica drejt Komunës së Podujevës, ku po realizohet edhe projekti i rrugës Prishtinë–Podujevë.
“Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj”, ka përfunduar ministri reagimin e tij. /Telegrafi/














































