Nga: Josif Papagjoni
Sikur Festivali i 61 i Këngës në RTSh të ishte si nata me një grup këngësh të përzgjedhura ndër vite, ah sa mirë!? Por, në fakt, ishte në një sens një koncert, një kujtese e mall për më të bukurat këngë.
A qenë më të “bukurat” vallë?
Afërmendsh ka dhe shume këngë të tjera, në mos dhe më të bukura që mund t’i përzgjedhësh. E rëndësishme është që në edicionet e fundit sillet edhe kujtesa muzikore ndër vite, shenjë nderimi për vetë festivalin dhe traditën e tij, shenjë respekti për artistët që e kanë mbajtur mbi shpatulla atë, por dhe nevojë komunikimi kulturor estetik me publikun e sotëm, të cilit rëndom i serviret tallavaja, kiç art dhe tundje-shkundje trupash, vithesh, me dup-dape e dap-dupe dhe jo vlerë e mirëfillte muzikore.
Sa pak thërrime mbetën nga muzika e bukur! Janë këngë që koha i ka selektuar me mençuri e shije të hollë estetike, andaj dhe memoria jonë kulturore i ka mbajtur.
Por, sa këngët e mirëfillta konkurruese në këtë festival ngjasojnë me këto: si kompozime, tekste poetike dhe interpretime vokale?
Janë si nata me ditën. Hidhu sa të duash, mburru pa fund se na qenke modern, “mjeshtër”, akuzoi edhe të tjerët si injorantë, arkaikë, që “s’marrin vesh” etj., por, në fund të fundit këngën tënde, or mik, e gëlltit harresa.
Po e banalizoje ca këtë fjalë të fundit, por është thelbi: Duhet b… të bësh muzikë të bukur, jo dengla e tundje-shkundje. Nuk e vë dot gishtin te një këngë e vetme që më mbresoi dhe me mbeti në shpirt. Sa keq!
Cilësia e kompozimeve në pjesën më të madhe të këngëve lë për të dëshiruar. Me aq sa shije muzikore kam, nuk e dalloj dot aty një motiv shqiptar, sado i largët e i përpunuar qoftë. Nuk jam arkaik, as partizan i pranisë medoemos të motivit muzikor mirëfilli “shqiptar”, as rrëmime në ashtin folklorik të motivit, se hapësira jonë gjithsesi e vogël është, edhe ajo muzikore, sikundër krijimi si i tillë nuk ka pse i gjegjet vetëm kësaj “hapësire” motivesh, temash, pëlqimesh, pasi kënga është po aq universale dhe spirituale. Le të shfrytëzohen tema e motive afër nesh, sikurse ritme e modelime muzikore bashkëkohore që janë zotëruese sot në botë, kjo veçse e modernizon festivalin.
Spektatori i sotëm rinor nuk është siç qe ai para 30 vjetësh dhe i brezit tim. Por, këto tema e motive duhet të vijnë bukur dhe të jenë të qarta. Dhe, ligji i parë këtu është melodia. Gjithnjë e më pak ndjej nëpër këngët e sotme melodinë e ëmbël, depërtuese e të rrokshme nga dëgjuesi. Në vend të saj shoh përzierje dhe ekstravaganca, që e bëjnë më shumë një klithje e çjerrje këngën.
E dyta është mungesa e teksteve cilësore. Mungojnë poetët. Pse vallë nuk i duan ata? Një tekst i bukur poetik fare lehtë përshtatet me frazat muzikore dhe ritmin e këngës, pse e bëjnë “gogol”? Kështu poetë na bëhen vetë këngëtarët që derdhin padijen e tyre në tekste, shoqëruar nga një paaftësi dhe vulgaritet i tmerrshëm.
Problem parash është këtu apo çfarë?
Një këngë e bukur, pa një tekst që përcjell ndjeshmëri të thella shpirtërore, mesazh dhe bukuri fjale poetike, nuk mbetet, e merr sakaq harresa. Këta te ashtuquajtur “kantautore” si shumë janë shtuar. Besoj për t’i futur paratë në xhepin e vetë dhe po ashtu për famë, por të pamerituar, teksa i bëjnë ndërkohë shumë dëm këngës sonë.
E treta, ku janë këngëtarët që i japin tonin një festivali kombëtar? Nuk duan të marrin pjesë vetë apo nuk i ftojnë? Kur ata mungojnë, skena mbushet më të rinj ende të pasprovuar për një festival si ky i RTSh-së; janë ende të panjohur, ende pa një publik që i do dhe i ka vlerësuar paraprakisht. Festivali i RTSh-së nuk është një eksperiment të rinjsh a një performancë e çastit, por një konkurrim i kualiteteve më të larta të muzikës shqiptare në të katër nivelet: kompozim, poezi, interpretim vokal, orkestër. Madje-madje, ai lipset të jetë festa e këngës mbarëshqiptare, ku të selektohet produkti më i bukur i vitit. Kjo s’po ndodh. Kompozitorë të shquar nuk qasen, ose mungojnë ose ua mbyllin derën. Festivale të rinjsh le të organizohen veçmas, por jo te pushtojnë krejt një festival …
Më në fund, a erdhi te publiku një cilësi, synim dhe arritje e tille?
Unë them se jo!
Specia e kompozitoreve seriozë është në “zhdukje”. Vallë apo u kenë vënë pengesa, që nuk kapërcehen dot? Pa këta kompozitorë çdo festival është i paraparë të falimentojë.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëWilhelm zu Wied dhe Shqipëria në arkivat gjermane
Mbi tezën ilire e pellazge të prejardhjes së shqiptarëve
Ateistë, ju as që e kuptoni çfarë është “besimi”!
Udhëtim nëpër fjalorin e Kosovës
Një titull për një foto të Idromenos
Letra e Enver Hadrit e vitit 1976, drejtuar dajës së tij Said Kryeziu
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
Më të lexuarat
Elon Musk nuk është fans i Liverpoolit, por i rivalit të tyre më të madh në Ligën Premier
Trump paralajmëron 'pushtimin' e Grenlandës, vjen reagimi i kryeministrit të ishullit
Zarf i zi në Big Brother VIP Albania 4
Përmasa gjigante: Granit Xhaka në mbështetje të Gjestit
FSK-ja shkoi në veri të vendit për një varrim, Maqedonci u zotua te KFOR-i se nuk kishte provokim
Rina publikon fotografi krah Feros: Akoma s’ka konkurrencë, 2025