LAJMI I FUNDIT:

Duke kujtuar Kiço Blushin

Duke kujtuar Kiço Blushin
Ilustrim

Nga: Andrea Prifti

Edhe unë ashtu e mbaj mend Kiço Blushin, të qetë, fjalëpakë, me nënqeshjen gati të padukshme të ironisë. Por nuk mbaron këtu në dijeninë time portreti i tij si shprehje e temperamentit përballë njerëzve, mes tyre e në marrëdhënie me ta për kohën që jetonin, që unë do ta mësoja ca e nga ca deri në ditët e tij të mbrame … Në vitet kur e njoha, jetonte edhe i ndjeri Sami Çabej, shefi i redaksisë së tregimit në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, në Tiranë. Në verën e vitit 1990, u ndodha në zyrën e Samiut ku kisha shkuar për t’u interesuar për fatin e një vëllimi me tregime që kisha çuar për botim. Samiu më pa nga lart poshtë dhe, pa më pritur të qartësoja mendimin mbi atë çka bluante, duke më parë panatyrshmërisht, qeshi. Qeshi, ose nisi të qeshte me ca hickëlima të shkurtra që hynin si pyka në frazën e shkurtër që më komunikoi:

– He … he … Ja, të pyesim redaktorin … Ha..ha..ha!


E vura re se si i hidheshin supet përpjetë nga ato hickëlima. U largova dy a tre hapa nga tavolina si për t’i dhënë të kuptonte se nuk isha i interesuar për bisedën e tij në telefon me redaktorin e librit tim.

Mbaroi pas disa fjalëve si, “kur kështu”, “ashtu ë”, dhe me zgjatimin e asaj “ë”- je të fundit vendosi me zhurmë receptorin në vend dhe, qeshi vesh më vesh:

– I ke hapur telashe redaktorit!

Unë mblodha supet dhe mora të dilja pa ditur ç’bëja

– Nuk do ta takosh Kiçon?!

Ai më zuri derën.

Aty mora vesh se redaktori i librit tim paskësh qenë Kiço Blushi dhe, kur thashë se më duhej të takoja Kiçon për diçka tjetër, Samiu ia nisi prapë të qeshurave.

– Shko, shko, s’është gjë libri, të pret më e madhja!

Në mos gaboj, Zerina Kuke, redaktorja e tregimit për fëmijë, me sa duket e tërhequr nga e qeshura e Samiut, futi kokën në derë. U përvodha dhe dola i djersitur nga sikleti. Ç’mund të kishte ndodhur?!

– Të fala Kiços!

Ky ishte zëri i Samiut, por, te dera, kishte dalë të shihte edhe Zerina! Si sot e kam parasysh këtë zonjë të respektueshme që kishte marrë për redaktim prozën time për të vegjël “Tomi dhe Era”, e qeshura e së cilës i nxirrte në pah një dhëmbë të dëmtuar në pjesën më të dukshme të gojës. (I kërkoi falje zonjës, sidoqë jam i sigurt se nuk do të më zemërohet!)

Tërë rrugën, nga 21 Dhjetori deri te Lidhja e Shkrimtarëve, vrisja mendjen ç’kishte ndodhur mes meje dhe Kiço Blushit, përveç faktit se i kisha dërguar për botim një novelë në revistën “Nëntori”, (“Ndalesë e vogël”).

Asgjë nuk munda të merrja me mend, por as mbas takimit me Kiçon nuk “proftasa” gjë. Mbeti një takim i shkurtër, (nuk më kujtohet nëse pimë kafe, por them se jo), ku ai më foli mirë, madje shumë mirë për novelën të cilën e kishte botuar te nr.7, i korrikut 1990. Po ashtu, si mbi gjemba, (sikur nga çasti në çast të ndodhte “hataja” për të cilën kishte qeshur aq shumë Samiu, mbase edhe Zerina!), dëgjova edhe mendimin e tij të mirë për nivelin e librit që kishte redaktuar, gjë që më çliroi nga dyshimi nëse kisha arritur nivelin e duhur për botim. Kështu, pas vlerësimit të redaktorit, e hoqa nga mendja të qeshurën e pakuptueshme të Sami Çabejt, madje as të falat e tij nuk u kujtova t’ia përcillja Kiços..

Ca ditë më vonë, kur mora në duar novelën e botuar, i telefonova Kiços, por telefoni i zyrës së tij në redaksinë e “Nëntorit” më doli i zënë. Përherë me merakun se mos kisha bërë ndonjë budallallëk që kishte shkaktuar të qeshura, nuk e vazhdova më tutje përpjekjen për sqarime; në fund të fundit isha vetë subjekti e vetë objekti, askush nuk po merrej më me mua. Megjithatë, duke shfletuar faqet e novelës së botuar, bashkë me përjetimin e ditëve e netëve të të shkruarit, më ngacmonte kureshtja të mësoja ç’kishte ndodhur me Kiço Blushin në lidhje me novelën time e që kishte mbetur e paharruar për ata që e kishin mësuar.

Dhe sa vinte e nervozohesha. Pse duhet ta vuaja diçka që, sidoqoftë, dukej të ishte ku e ku më e parëndësishme sesa përplasjet për pengesat që më kishin sjellë për të mos marrë lejen krijuese që më akordohej nga Lidhja e Shkrimtarëve?!

Një ditë më del përpara Sekretari i Byrosë së Partisë së Zonës dhe unë i shkova në zyrë pa trokitur. Duke përfituar nga fakti se ishte xhaxhai i një shokut tim të fëmijërisë, i thashë prerë se “Po më persekutonin, se biografia ime nuk kishte të bënte me … ”. Por, pa dashur të rrëfej telashet e mia të një jete të tërë, që buronin nga “gjynahet” e biografisë, deklamova: “Do, s’do, ti Kozma, unë lejen do ta marr!”. Dhe ja përgjigjja e tij që kurrsesi nuk e prisja: “Edhe mund ta merrje po të ishe sjellë mirë ti vetë! Pse nuk rri kokulur, përse kapardisesh me dosje në sqetull? Kush je ti?!”.

Nuk durova dot më: Shtyva me bërryl kanatin e drunjtë të dritares së vogël të zyrës dhe u ktheva dhe rrëmbeva dosjen e sekretarit që e kishte lënë në tavolinë teksa bisedonte në telefon.

– Këtë dosje ta ka dhënë Partia, sot. Nesër nuk do jesh më sekretar dhe dosjen nuk do ta kesh më! Dhe e vërvita jashtë dritares ku po binte muzgu e njerëz nuk dukeshin aty rrotull.

– Mos! – U rrotullua duke u hedhur përpjetë sekretari …

Por, do thoni ju, Kiço Blushi, ç’hyn këtu?!

Dy vite më vonë, kur kishte ndodhur i famshmi “2 korriku” i hyrjes nëpër ambasada, përballem me një tjetër sekretar të partisë, jo të byrosë, të organizatës bazë, siç edhe i thoshin. Këtë herë në Kakavijë duke kaluar në sitën e Policisë Kufitare.

– Për ku kështu?!, – e pyeta.

– Lamtumirë!, – qeshi trishtueshëm sekretari i vogël dhe, – Të fala Kiço Blushit!

Kjo qe si rrufe në qiell të kthjellët. Duhet të kalonin dy a tre vite të tjerë që të mësoja për “të falat” në adresë të Kiços …

Po hidhesha në anën tjetër të rrugës, përballë teatrit në Fier, atje ku deri para ca vitesh ishte Shtëpia e Oficerëve. Teksa drejtohesha nga prefektura, dëgjova të më thërrisnin. Kthej kokën dhe shoh të ulur në kafe ish- sekretarin e Byrosë (Kozma K.). Kisha kohë pa e parë dhe nisem ta takoj. Ç’është e vërteta, isha i përmalluar për njerëz që kisha vite pa i parë dhe nuk kisha dëshirë të bëja “seleksionimin” e tyre. E përshëndeta me sinqeritet, ai më përqafoi …

Po përse shihte me bisht të syrit diku ku lëvizte dora ime?!

– Ç’ke kështu, Kozma?!

Ma mori çantën nga dora, e ktheu nga ana tjetër, e rrotulloi, tundi kokën dhe:

– Vazhdon të kapardisesh me çantë, ë? Kurse unë …

Nuk e di nëse i dolën lot nga përpjekjet për të përmbajtur të qeshurën. Apo i kishte lot të një tjetër lloji?

Në sekondë m’u kujtua ndodhia me çantën e flakur dhe, nuk e di përse, m’u dhimbs ai njeri.

– Epo, të shkuara të harruara, sekretar!, bëra të qeshja unë

– Kjo është e s’është gjë: Të vërvitësh një çantë … Pa mendo të vërvitësh, të sikterosësh një njeri, një sekretar! Madje, jo një, por dy, dy sekretarë!

– Nuk po të marr vesh, Kozma!

– Mua? Sekretarin e Byrosë? Edhe mua, të madhin, edhe sekretarin e vogël, ai tjetri na vuri drunë!!

Ne pimë kafe, por ai nuk e përmendi më historinë e çantës që partia ia kishte hequr e as edhe “drunë” e sekretarëve. Dhe kur po mendoja se ky do të ishte i fundmi rast kur do hapnim atë temë, kur ajo do kthehej në tabu, ai u hodh në krahun tjetër të trotuarit dhe thirri:

– Të fala Kiço Blushit!

Dhe “më kërcënoi” me gisht …

Tani, i bindur se e teprova me tejzgjatjen e kësaj historie, po rrëfehem. Katër a pesë vite më vonë, kam takuar në Athinë “sekretarin e vogël” të partisë, L.Kola. Më erdhi të thërrisja në kupë të qiellit kur, para se të ndahej, më përsëriti lajtmotivin enigmatik: “Të fala Kiço Blushit kur të shkosh në Tiranë. Unë dhe Kozmai hoqëm keq duke dalë nga ato shkallë të pjerrëta, të pjerrëta e të ngushta të Lidhjes së Shkrimtarëve … Ato që na çuan poshtë, te redaksia e “Nëntorit”!”

E ndërsa unë e shihja si guhak, ai u ul në bordurën e trotuarit dhe mori e tha se si, së bashku me sekretarin e Byrosë, kishin shkuar te Kiço Blushi për të “denoncuar botimin e një novele armiqësore” … Po si, qysh, pse, etj., etj., më dukej sikur po thosha unë, por, në të vërtetë, vetëm sa mërmërisja i pataksuar nga çudia. Përfytyrova skenën e sikterisjes së sekretarëve nga zyra e shkrimtarëve dhe i bëra vetëm një pyetje:

– Po përse?!

– Pyete Kiçon. Ai vetëm na pyeti ç’punë bënim e ç’shkollë kishim dhe u ngrit më këmbë, na tregoi daljen me gisht, dhe: “Ikni muratorë dhe … Bëji të fala. Se, në të vërtetë, nuk na fyeu, paçka se ishim pa …

Tani Kiço Blushi nuk është me. As ish sekretari i Byrosë. Ai tjetri me kurs partie, ka ikur diku nga … emigrant. Sidoqoftë, nuk harrohen, as ata që largohen të sikterisur …