DUKE HEDHUR NJË HAP DREJT PERËNDIMIT

Poezi nga: Denise Levertov Përktheu: Irena Dono
Ajo çka është e gjelbër tek unë
errësohet si myshk.
Nëse gruaja është e paqëndrueshme,
le të jetë, unë jam besnike ndaj
baticës dhe zbaticës,
unë jam në stinë
dhe është bash koha e pjekjeve.
Nëse pjes’ e saj,
është të qenit e vërtetë,
një yll verior,
le të jetë, unë mbahem fort
në qiellin e zi
dhe zhdukem ditën,
dhe digjem atje
në blu ose mbi
mbulesën e resë.
Nuk ka shije më të ëmbël,
më të kripur
se sa të jesh e gëzuar, të jesh
çfarë, grua,
dhe kush, unë vetë!
Unë jam një hije
që bëhet më e gjatë, teksa dielli
lëviz, i tërhequr
në një fill mrekullie.
Nëse mbaj barra,
ato fillojnë të mbahen mend
si dhurata, mallra, kanistër
buke që më vret
shpatullat, por më mbush
me aromë. Mund
të ha, teksa iki.


















































