Gjatë së dielës është raportuar për asgjësimin nga policia të 2300 rrënjëve bimë kanabis sativa, të cilat janë gjetur në 8 parcela të mbjella në fshatrat Pog, Xhan, Kasnec dhe Kir. Gjatë këtij operacioni janë angazhuar 140 forca policore dhe 13 automjete.

Ndërkohë, vetëm një ditë më parë, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka paralajmëruar se do t’i shkohet deri në fund këtij operacioni duke shprehur vendosmërinë për ta pastruar vendin nga zaptimi i çdo hapësire të mbjellë me lëndë narkotike, edhe pse siç theksoi ai, një Shqipëri e tillë është e trashëguar nga qeveria e mëparshme.


Ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, u shpreh se nëse do ketë të shtëna me armë ndaj policisë, kjo e fundit do të kundërpërgjigjet. Didi u shpreh se operacioni në Dukagjin ka qenë më i vështirë se në Lazarat, për shkak të terrenit të thyer malor.

Sipas tij, nuk ka ende persona të arrestuar, por ka të dyshuar, ndaj të cilëve ka nisur procedimi policor dhe pritet të nisë procedimi penal. Madje, Policia e Shtetit ka vendosur edhe një shpërblim prej 100 mijë euro për ata që japin informacione mbi personat që kanë qëlluar ndaj policisë gjatë ditëve të mëparshme. /tch/