“Duam t’i gëzojmë tifozët me fitore”, Leard Sadriu i lumtur pas ftesës së Kosovës, komenton edhe sezonin në Rumani

Qendërmbrojtësi Leard Sadriu, që këtë edicion ka luajtur si mbrojtës i krahut te skuadra rumune FC Arges pret që Kombëtarja e Kosovës shkaku i kualitetit t’i gëzojë tifozët me fitore, kështu së paku deklaroi në një intervistë për Telegrafin.
Sadriu ishte ndër ‘risitë’ në listën e muajit tetor të përzgjedhësit Franco Foda, pas edicionit fantastik që po kalon në kampionatin rumun.
Në një intervistë për Telegrafin, Sadriu fillimisht deklaroi se ftesa e Kosovës gjithnjë është ndjenjë e papërshkrueshme dhe që mund të marrin fitore ndaj Sllovenisë e Suedisë, pavarësisht që janë kundërshtarë mjaftë të fortë.
“Normalisht, ndjenja më e mirë për çdo futbollist është ftesa nga Kombëtarja dhe kjo është një ndjesi që nuk përshkruhet me fjalë”.
“E dimë se kemi të bëjmë me dy kundërshtarë mjaft të fortë dhe me cilësi, por duke parë grupin dhe lojtarët që posedojmë në Kombëtaren tonë, gjithçka është e mundur”.

24-vjeçari gjithashtu nënvizoi se pret nga tifozët prej tifozëve që të jenë një nga ‘armatat’ kryesore sidomos në ndeshjet vendas, kësisoj do të provojnë t’i gëzojnë vetëm me pikët e plota.
“Normalisht çdo Kombëtare ka konkurrencë dhe lojtarë brenda grupit, prandaj edhe ftohen lojtarët më të mirë të mundshëm. Unë do të jem i gatshëm në çdo moment që do të më jepet mundësia dhe të ndihmoj ekipin sa herë që do të jetë nevoja”.
“Tifozët gjithmonë kanë qenë dhe do të mbeten një nga armatat më të forta që mund të kemi, sidomos në ndeshjet si vendas, por edhe si mysafirë. Shpresojmë që në fund t’i gëzojmë ata me fitore”, deklaroi ai.

Sadriu nuk hezitoi ta komentonte as sezonin që po kalon me Arges, skuadër që ka befasuar të gjithë në kampionatin rumun. Nga një klub, i cili vazhdimisht ka luftuar për titull, këtë edicion ata janë në pjesën e epërme të tabelës.
Ish kapiteni i Kosovës U21 megjithatë largoi tërë presionin nga skuadra, duke konfirmuar që objektivi është qëndrimi në elitë.
“Momentalisht po ndihem shumë mirë duke marrë parasysh ecurinë e ekipit, po ashtu edhe performancën individuale. Besoj se kam arritur të përshtatem shumë shpejt me kampionatin rumun”.

“Këtë vit kemi një ekip mesatarisht të ri, duke marrë parasysh se shumica e lojtarëve jemi të sapoardhur, por që jemi ambientuar shumë shpejt mes vete. Objektivi kryesor është të jemi pjesë e Superligës rumune edhe për vitin e ardhshëm dhe të krijojmë stabilitet për vitet që vijnë”.
Në fund, ai nënvizoi se synimi është të mbesin të fokusuar ndeshje pas ndeshje.
“Kemi qenë befasi e vërtetë, mirëpo duke marrë parasysh kualitetin që posedojmë në ekip dhe performancën e treguar gjatë këtyre ndeshjeve, nuk mund të quhemi më si befasi. Do të vazhdojmë të jemi të fokusuar ndeshje pas ndeshjeje dhe të shohim si do të shkojnë gjërat”, përfundoi ai për Telegrafin.
Kujtojmë, Kosova i zhvillon dy ndeshje këtë muaj – ndaj Sllovenisë fillimisht më 10 tetor (e premte), kurse vetëm tre ditë më vonë udhëton për përballjen me Suedinë./Telegrafi/













































