Nga: Salajdin Salihu
I. Viti 1981. Shqipëri. Vendi më i mbyllur i botës. Një muze ateist ku ishte përjashtuar metafizika, pa të cilën arti është asgjë. Se arti (si Gilgameshi, që ishte njeri e hyjni) e përmbledh në botën e tij të dukshmen e të padukshmen; realitetin e shajninë; tokësoren, qielloren dhe infernalen; parajsën e ferrin; engjëjt e djajtë; Kainin e Abelin; Judën e Krishtin; protagonistin e antagonistin; agun e muzgun; ëndrrën e zhgjëndrrën; të mundshmen e të pamundshmen…
Në këtë vit, në spital onkologjie, jepte shpirt një vajzë 23 vjeçare. E vetme. Pa askënd pranë. E ëma e saj më kot i adresonte lutje mikeshës së dikurshme, Lejdi Makbethit, që t’ia mundësonte, së paku, në çastet e fundit, të ishte pranë së bijës. Asnjë përgjigje. Makbethët e Shqipërisë ishin të pamëshirshëm.
Ne vetëm mund ta paramendojmë si mund të jetë ndjerë një nënë në kësi çastesh. Gjendja e nënës, mbase, më përafërsisht, përshkruhet nga e bija (për ndonjë situatë tjetër të ngjashme):
Atë ditë ajo dukej krejt e thinjur.
Sytë e errët,
Si gjithnjë fshihnin dhembjen.
E kish harruar atë ditë zemërimin.
Atë ditë ajo ishte
Vetëm nënë.
Nëse vajza nuk do të ikte në amshim si 23 vjeçare, sot do të ishte 63 vjeçare. Mbase do të qeshte me vargjet rinore: “Dhe e di se kurrë s’do bëhesh nënë”. Do të shkruante poezi. Do të botonte libra. Do të ishte emër i çmuar në letërsinë shqipe. Kjo është vetëm imagjinatë. Dihet se ajo është poete dhe emër i çmuar në letërsinë shqipe edhe pa moshën 63 vjeçare, edhe pa librat që nuk i arriti t’i shkruante.
II. Emri i saj është Drita Çomo (1959-1981). Dritë e veçantë e poezisë shqipe. Dritë që ka mbetur edhe pasi ka ikur nga kjo botë.
Libri i vetëm i saj, “Dritë që vjen nga humnera” (2004), është botuar pas vdekjes. Është libër më i çmuar se qindra libra për të cilët janë shkruar recensione e studime.
Libri i Drita Çomos ka poezi dhe ditarin që autorja e ka shkruar derisa ishte në internim dhe në spitalin onkologjik.
Kjo qenie e pafajshme, e brishtë, shkruan për vuajtjen e saj. Vetëm ajo mund ta dinte se “ç’do të thotë të vuash, kur s’ke faj”. Ishte e bija e Liri Belishovës dhe Maço Çomos. Të dënuar politikë.
Në sistemin totalitar vlejnë ligjet mesjetare. Dënimi është kolektiv. Dënohen edhe fëmijët apo të afërmit e të dënuarve politikë. Dënimi kolektiv synon ta shuajë çdo disidencë. Se kur njeriu e mendon që rebelimi i tij u sjell fatkeqësi të pafajshmëve, atëherë e humb guximin për të bërë akt prej martiri…
III. Drita Çomo është njëra nga poetet më të mira që ka pasur letërsia shqipe. Poezitë e saj i shkroi dhembja, trishtimi, mërzia, por edhe dashuria.
Në poezinë e saj ka hije vdekjeje, dashuri siberiane, shpirtra prej akulli, qiell gri ose të errët, trishtim, mërzi, vetmi, vjeshtë, dhimbje, heshtje, pritje të ankthshme, por ka edhe jetë “kur gjithçka tjetër fle”, ka shpresë për “ata që do të vijnë”.
Ecëm
me një të kaluar që s’e kishim jetuar
Dhe pa të ardhme.
Megjithatë jetuam.
Pikërisht për të kaluarën
Dhe pikërisht për të ardhmen.
E deshëm jetën. Thjesht.
Dhe e duam.
Në humbëtirën e kohës shtyjmë monotoninë e ditëve.
Në kohën “pa asgjë të re” duhej të jetohej edhe për ata që do të vinin.
Jetuam, që ata mos jetojnë si ne.
Që ata të kenë ëndrra të lira,
si deti;
Të mos e njohin ngushtësinë
makabre të qelive,
Që ata ta duan diellin dhe njëri-tjetrin
Dhe të mos u besojnë kaq shumë perëndive.
Që ata ta dinë çdo të thotë dhembje
Çdo të thotë të njohësh frikën dhe lotët
Dhe ta kuptojnë se … “Partia” dhe “Revolucioni”
Nuk mjaftojnë për ta bërë më të mirë botën.
IV. Drita Çomo është poetja shpirtçiltër në botën e egër dhe hipokrite:
Sa hipokrite, net pa gjumë,
Njerëzit dhe vetes i flasin bukur
Njësoj në dashuri, në politikë
Të gjitha i mbështjellin me lustër.
Për të poezia ishte ëndërr, vegim i kaltër, zanë. Poezia ishte kudo pranë saj: në dhomë, në klasë, në spital. Kudo e shoqëronte “e përziera me ëndrrat, dëshirat, mendimet”, që “lë prapa vetëm heshtjen”.
Poezia e Drita Çomos dëshmon se për letërsinë është e parëndësishme mosha e poetit dhe sasia e librave të botuar…
V. Poetja njohu dy sëmundje të rënda: njëra personale dhe tjetra personale e shoqërore. Sëmundja e parë quhej kancer. E dyta komunizëm. Të dyja metastazojnë. E para në trup. E dyta në shpirtrat e njerëzve. E para e shkatërron trupin. E dyta shpirtin.
“Në udhët e jetës së saj i kishin dalë herët, tepër herët, dy nga përbindëshat më të zezë të kohës: diktatura dhe kanceri”, tha Ismail Kadare.
Drita Çomo iku nga kjo botë dhe kaloi në botën tjetër, në botën e artit, ku nuk të bëjnë asgjë as kanceri, as komunizmi. /Hejza/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Historia e vrasjes së Çerçiz Topullit
Individualizmi ynë i mjerë

Pse Ismail Qemali dha dorëheqjen nga kryesimi i qeverisë së përkohshme më 22 janar 1914?

GJUHA SHQYPE

Shpërngulja e shqiptarëve në vitet 1912-‘39 dhe reagimi i shtetit shqiptar

Shqiptarët nëpër dekada: Çfarë kaluan ata në vitet 1920, 1930, 1940… 2020!?

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!

25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Më të lexuarat

Më të votuarit e LDK-së nga 60 për qind të votave të numëruara

Prokuroria Speciale kërkesë gjykatës për të urdhëruar Kurtin të paraqitet për të dëshmuar në prokurori

Trump pretendon se Ukraina e filloi luftën me Rusinë

"Kush është ky", momenti kur Gjesti ngatërron Jezusin me figurën e Çerçiz Topullit në spektaklin e BBVA

Kjo është lista e përditësuar me votat e kandidatëve për deputetë të PDK-së

Kryeziu: Konsullata e Kosovës në Shtutgart bëri skandal pasi organizoi përvjetorin e pavarësisë në qendrën islame