Drita ka zyrtarizuar sot afrimin e dy lojtarëve të rinj në radhët e saj, duke forcuar ndjeshëm skuadrën për sezonin e ri, sidomos për garat evropiane, pasi paraqiten për herë të parë në Ligën e Konferencës. 

Në repartin defansiv, bardhekaltërit kanë nënshkruar me mbrojtësin shqiptar Jorgo Pëllumbi, 25-vjeçar, i cili vjen me një bagazh të pasur përvoje nga kampionatet shqiptar, kroat dhe hungarez.


Pëllumbi, ish-përfaqësues i Shqipërisë U21, njihet për qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë e tij në fushë, duke u parë si një shtyllë e rëndësishme për mbrojtjen e gjilanasve.

Ndërkohë, për mesfushën i është bashkuar talenti 19-vjeçar Mamadou Ben Zidane, i transferuar nga ekipi francez SC Bastia.

Futbollisti i ri pritet të sjellë energji, kreativitet dhe potencial të madh për të ardhmen, duke u bërë një aset i vlefshëm për klubin në garat vendore dhe ato ndërkombëtare.

FC Drita i ka uruar mirëseardhje të dy lojtarëve në familjen bardhekaltër, duke u dëshiruar sukses në këtë kapitull të ri të karrierës së tyre. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app