Drita në histori – ecuria, të ardhurat milionëshe dhe kundërshtarët e mundshëm në play-off

Drita ka përfunduar fazën e grupeve të Ligës së Konferencës me 8 pikë, pas 2 fitoreve, 2 barazimeve dhe 2 humbjeve, duke e mbyllur në vendin e 20-të dhe duke siguruar play-offin.
Fitoret erdhën ndaj Shelburne dhe Shkëndijës, barazimet me KuPS dhe Omaninë, ndërsa humbjet ndaj AZ Alkmaar dhe Rayo Vallecano.
Me këtë performancë, ekipi nga Gjilani ka siguruar kalimin në fazën e play-off-it, duke u renditur në pozitën e 20-të në renditjen e përgjithshme të ekipeve që nuk u kualifikuan direkt për 1/8 e finales. Kjo shënon një arritje historike për futbollin kosovar.
Klubi gjilanas zhvilloi të enjten ndeshjen e fundit të fazës së ligës, duke u mposhtur me rezultat 3-0 nga Rayo Vallecano.
Me përfundimin e të gjitha ndeshjeve, tashmë është e ditur se kundërshtarët e mundshëm të Dritës në play-off do të jenë Celje nga Sllovenia ose AZ Alkmaar nga Holanda.
Ndeshjet e play-off-it të Ligës së Konferencës do të luhen më datat 19 dhe 26 shkurt, ndërsa shorti do të hidhet më 31 janar.

Përfitimet financiare
Nga pjesëmarrja në garë, Drita ka përfituar shpërblime të ndryshme: për dy fitoret e saj në grup, klubi ka marrë 800.000 euro, ndërsa për dy barazimet ka siguruar 266.000 euro. Përveç këtyre, ka marrë edhe 80.120 euro shpërblime nga barazimet e tjera.
Pjesëmarrja në play-off i sjell Dritës 700.000 euro të tjera, ndërsa për pjesëmarrjen në grup klubi përfiton 3.170.000 euro dhe për bonusin kryesor të fazës së grupeve shtohen edhe 476.000 euro.
Totali i këtyre përfitimeve është 5.492.120 €, pa përfshirë market pool dhe shpërblimet e tjera shtesë, që e çojnë shumën e përgjithshme mbi 6 milionë euro.
Kjo është një arritje e madhe për Dritën, që jo vetëm siguron progres në Evropë, por edhe një bazë të fortë financiare për të ardhmen e klubit.
Trajneri flet për preferencën e kundërshtarit
Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, në konferencën për shtyp pas ndeshjes, ka deklaruar se do të preferonte që ekipi të përballej me Celjen të Sllovenisë, duke tentuar të evitonte AZ Alkmaar.
"AZ Alkmaar e njohim, preferoj Celjen si kundërshtar në play-off", tha ai, duke kujtuar se këto dy skuadra u ndeshën në fazën e ligës, me holandezët që fituan në Prishtinë me 3-0.

Shorti për fazën play-off do të hidhet më 31 janar, dhe ndeshjet do të luhen më 19 dhe 26 shkurt. /Telegrafi/













































