Drita dhe Gjilani të gatshme për derbin e qytetit që jeton me futbollin

Dy skuadrat nga qyteti i Gjilanit, do të përballen me njëra – tjetrën sot për të fituar për tifozët e tyre.
Mbrojtësi i Dritës, Ardian Limani, ka folur për Telegrafin rreth kësaj ndeshje, duke deklaruar se skuadra e tij është e gatshme për rivalin lokal.
“Jemi mobilizuar dhe përgatitur më shumë se asnjëherë më parë. Motivimi është në kulm dhe asgjë nuk po na mungon, çdo gjë është përgatitur nga ana jonë siç është më së miri”, tha Limani fillimisht.
“Synimi i Dritës është që të shënojmë në çdo ndeshje fitore, dhe natyrisht që kur ta kemi rivalin lokal kundërshtar duhet të fitojmë për tifozët. Do të japim gjithçka për ta sunduar qytetin”, vazhdoi Limani i cili ka një porosi për tifozët e Dritës, ‘Intelektualët’.
“Tifozëve ju them, që ju po kërkoni nga ne fitoren dhe ne do ta arrijmë për ju, ndërsa ju jepni ligjërata në tribuna ashtu siç keni bërë gjithmonë”, tha Limani i cili kishte ofertë të majme nga Gjilani por në fund vendosi të qëndroj te Drita.
“Nëse do të shënoj gol do të ishte diçka fantastike, dhe duke festuar ata do ta kuptojnë se pse i kam refuzuar për të qëndruar te Drita. Qyteti është dekoruar me të kaltër dhe nuk shoh arsyeje pse duhen të ndryshohen ngjyrat”, përfundoi mbrojtësi Limani.
Ndërkohë trajneri i Gjilanit, Sadat Pajaziti, do të sfidojë të dielën ish-skuadrën e tij, Dritën, me të cilën u nda në stinorin pranveror të edicionit të kaluar.
Pajaziti thotë se skuadra e tij është e gatshme për takimin e së dielës.
“Ne jemi bërë gati. Unë e kam thënë edhe më herët se kam qenë pjesë e Dritës dhe kam dhënë më të mirën. Tani do ta jap më të mirën për Gjilanin”, tha Pajaziti për GazetaOlle.
Sa i përket takimit ai theksoi: “Pres të jetë një ndeshje me spektakël brenda, si në tifozeri si në fushë dhe të mbizotëroj fair-play dhe njëkohësisht të tregoj Gjilani që di të organizojë këso ndeshje të mëdha, dhe që e kanë zili çdo qytet”.
Ai thekson se përparësia e Gjilanit është harmonia, kurse i pyetur se a do të ishte i kënaqur me barazim ai nuk u përgjigj. “Forcën e Gjilanit e shoh tek harmonia dhe dëshira e lojtarëve. Ne luajmë për fitore, kurse se a jam i kënaqur me barazim, do të të tregojë pas ndeshjes. Derbi ështe derbi”, shtoi Pajaziti.
Mesazhi i tij për tifozët Skifterat është ky: “Besoj se do t’i gëzojmë shumë herë këtë vit”. /Telegrafi/



















































