Site icon Telegrafi

Drejtori i Institutit Sizmologjik: Nuk kishte tërmet në Kosovë, nuk ka nevojë të krijohet panik

Një tërmet prej 5.7 shkallë të Rihterit ka ndodhur sot në Rumani, lëkundjet e të cilit u ndjen edhe në Kosovë e Serbi.

Lëkundjet kanë shkaktuar panik te qytetarët në Kosovë, kryesisht në Prishtinë të cilët kanë dalur edhe jashtë.

Disa media raportuan fillimisht se tërmeti ishte në Kosovë, gjë që nuk ishte e saktë.

Lexo po ashtu Tërmet në Rumani, lëkundjet u ndjenë edhe në Kosovë

Drejtori i Institutit Sizmologjik të Kosovës, Shemsi Mustafa  në një postim në Facebook, ka bërë thirrje që të mos krijohet panik te qytetarët me tituj e me të dhëna jo të sakta

“Në Kosovë nuk kishte tërmet. Tërmeti ka goditur në Rumani, por për shkak të fuqisë dhe energjisë se liruar dhe përhapjes nëpër mjet valëve sizmike kap distancë deri 500km”, ka shkruar Mustafa.

Edhe Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se tërmeti nuk ishte në Kosovë.

“Ministria e Ekonomisë njofton qytetarët se Kosova nuk është goditur nga tërmeti, por se janë ndjerë lëkundje të shkaktuara nga tërmeti që ishte me epiqendër në Rumani.
Bazuar në Rrjetin Sizmologjik, Shërbimi Gjeologjik i Kosovës dhe Qendrës Sizmike Euro-Mediterane, si dhe në analizën numerike të të dhënave të ngjarjes sizmike, më datë 14.02.2023 në ora 14:16 sipas kohës lokale, Rumania është goditur me një tërmet me magnitudë 5.7 sipas shkallës Rihter, përkatësisht me intensitet VII-VIII ballë të Merkalit. Thellësia hipoqendrore ishte 40 kilometra”, thuhet në njoftim.

ME-ja ka shtuar se lëkundjet e tërmetit janë ndjerë nga qytetarët e Republikës së Kosovës për shkak të fuqisë së tërmetit dhe veprimit të energjisë së liruar në një rreze deri në 500 km.

Kujtojmë se një javë më parë një tërmet prej 7.7 shkallë të Rihterit goditi Turqinë dhe Sirin ku deri më tani numri i viktimave ka shkuar në mbi 38 mijë. /Telegrafi/

Exit mobile version