Drejtori i Arsimit në Pejë konfirmon: Rreth 40 nxënës në Vitomiricë kanë kërkuar ndihmë - 7 prej tyre në trajtim mjekësor

Rreth 40 nxënës nga shkolla “7 Shtatori” në Vitomiricë të Pejës janë helmuar nga konsumimi i ushqimit në një fast-food.
Këtë e ka konfirmuar për Telegrafin, drejtori i Arsimit në Komunën e Pejës, Naser Gega.
“Po, në shkollën “7 Shtatori” në Vitomiricë ka ndodhur helmimi i rreth 40 nxënësve, derisa ngjarja ka ndodhur dje (21 tetor). Në total ankesa të nxënësve ka pasur diku 30-40", tha ai.
“Kanë pasur marramendje, dhembje barku dhe të vjella, por sipas të gjitha gjasave ka qenë një helmim i lehtë”.
Drejtori i Arsimit në Pejë shtoi se: “Vetëm shtatë nga këta të gjithë kanë kërkuar trajtim në ambulancën e Vitomiricës. Mësimi është kthyer në normalitet”, potencoi Gega.
“Dyshohet se janë helmuar prej ushqimit, prej atyre fast-food që janë afër, teksa me rastin është njoftuar edhe Instituti i Shëndetit këtu në Pejë”.
“Gjatë ditës së djeshme, Policia ka marrë informatën se disa nxënës dyshohet se janë helmuar në një furrë në afërsi të shkollës ‘7 Shtatori’”, tha Gashi.
“Policia ka intervistuar drejtorin e shkollës, po ashtu edhe për rastin është njoftuar Prokuroria”.
“Nxënësit kanë marrë tretmanin e duhur në QMF në Vitomiricë dhe janë liruar për në shtëpi”.
“Rasti është duke u hetuar nga Policia”, shtoi zëdhënësi për Rajonin e Pejës.
Edhe Shkodran Nikçi, zëdhënësi nga Prokuroria Themelore e Pejës bëri të ditur se shtatë nxënës kanë kërkuar ndihmë në QMF-në e Vitomiricës. /Telegrafi/
















































