Një tjetër protestë do të organizohet në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Me moton “Drejtësi, jo politikë” do të protestohet në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë në përvjetorin e 18-të të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, raporton KosovaPress.


Kjo protestë kësaj radhe organizohet nga organizata “Liria ka emër”, e cila pret që të ketë pjesëmarrje masive.

Në konferencë për media, Ismail Tasholli nga kjo organizatë tha se procesi gjyqësor në Hagë është përcjell me “procedura të ndërlikuara e informacione kontradiktore”.

“Në ditën kur Kosova shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt, nën udhëheqjen e shpallësit të saj Hashim Thaçi, ne paralajmërojmë një protestë paqësore për drejtësi në Prishtinë. Sepse pikërisht tani kur pas më shumë se 5 vitesh, procesi në Hagë ka hyrë në fazën përmbyllëse, është momenti që të ngrihet zëri i qytetarëve në mbrojtje të çlirimtarëve dhe të vet parimit të drejtësisë. Prandaj, sot jemi këtu për të njoftuar rreth kësaj proteste dhe për të shpjeguar shkurtazi pse ajo është bërë e domosdoshme. Procesi në Hagë është krijuar për të sjell drejtësi, siç e dini, por me kalimin e viteve në opinionin publik është krijuar përceptimi i mjegullt. Proces i gjatë, i zvarritur, procedura të ndërlikuara, informacione kontradiktore, ndikim i diskursit politik dhe një ndjenjë që drejtësia po humb fokusin e saj juridik”, deklaroi ai.

Tasholli ndër tjera përmendi edhe pranimin nga ana e Gjykatës Speciale të dokumenteve prej autoriteteve të Serbisë, në cilësinë e provave materiale.

“Vet origjina e saj [Gjykatës Speciale] ka prodhuar debat publik, a është kjo drejtësi e pastër apo drejtësi e ndikuar nga rrethana politike. Kjo pyetje sot nuk është propagandë e as retorikë është shqetësim real qytetar. Qytetarët kanë pa ndër vitet rrjedhje dokumentesh që vijnë nga Serbia, ankesa për të drejtat e mbrojtjes, zvarritje të proceseve, mungesë komunikimit të qartë me opinionin publik dhe një diskurs ku politika shpesh flet më shumë se ligji”, theksoi ai.

Edhe Eliza Hoxha nga kjo organizatë tha se në këtë protestë do të kërkohet drejtësi për çlirimtarët.

“Ne as nuk marshojmë as nuk protestojmë kundër drejtësisë, thjesht ne protestojmë dhe kërkojmë drejtësi reale. Protestojmë sepse nuk duam standarde të dyfishta. Nuk duam procese pafund, nuk duam gjykime që duken të porositura, nuk duam drejtësi selektive. Ne kërkojmë verdikt juridik dhe jo verdikt politik. Kërkojmë vendime të bazuara në prova dhe jo në agjenda. Prandaj, mesazhi ynë është i qartë sepse kërkojmë drejtësi pa presion, drejtësi pa ndikim, drejtësi pa skenar. Drejtësi për të gjithë. Ne kërkojmë që procesi në fund të mbyllet me vendim ligjor të respektojë parimin e gjykimit të drejtë dhe mos mbetet peng i politikës. Prandaj me 17 shkurt, ju ftojmë të gjithëve të na bashkoheni me marshim e protestë paqësore dhe dinjitoze me mesazhin tonë të qartë”, tha Hoxha.

Pesë protesta në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë organizuar nga kategoritë e dala nga lufta. Megjithatë, KosovaPress mëson se OVL-UÇK është tërhequr kësaj radhe dhe nuk do të jetë pjesë e bashkëorganizimit.

Tasholli tha se e kanë ftesën për pjesëmarrje, ashtu si partitë politike.

“Edhe ata do të jenë, sepse ftesa është për të gjithë, për të gjitha ata që janë pjesë e qëllimit dhe vullnetit për mbrojtjen e vlerave. Pjesa e OVL-së është pjesa më e dinjitetshme e kohërave të zorshme të kësaj shoqërie, dhe gjithsesi kanë marrë organizimin e shumë protestave të suksesshme siç e dini. Ftesa është e hapur për të gjithë, madje ne nuk kemi kursyer nga ftesat të gjitha partitë politike, që të qojmë mesazh të përbashkimit sepse mendojmë që edhe Haga edhe tema e UÇK-së nuk është tema e ndarjes, por është tema e unifikimit”, u përgjigj Tasholli.

Vitin e kaluar janë organizuar pesë protesta me thirrjet "Drejtësi për Çlirimtarët".

Protesta e parë është mbajtur në Prishtinë, më pas në Hagë, Tiranë, Strasburg e në Shkup.

Gjyqi i madh për katërshen e UÇK-së është para fazës përfundimtare. Nga data 9 deri më 18 shkurt, do të dëgjohen deklarimet përmbyllëse, e me përfundimin e kësaj faze, procesi gjyqësor konsiderohet zyrtarisht i mbyllur.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë cilësuar si të pabazuara. Edhe mbrojtja i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.

Ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020. Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 - gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.