H.R, tashmë gjendet në masën e sigurisë- atë të paraburgimit, nën dyshimin se ka neglizhuar procedurat dhe nuk e ka mbikëqyrur 24-vjeçaren L.S., derisa po gjuante me armë në poligon, ashtu siç parashihet me rregullore dhe me udhëzime.

Më 29.08.2025, një plagosje u regjistrua në njërën nga poligonet e gjuajtjeve me armë që gjendet në Prishtinë.


Një 24-vjeçare dyshohet se qëlloi veten me armë brenda poligonit ndërsa fillimisht ishte dërguar me shenja jete për trajtim mjekësor. Por, vetëm pak orë pas ngjarjes u konfirmua vdekja e saj.

Rasti ishte cilësuar në fillim si vetëvrasje dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm. Prokuroria dhe hetuesia tashmë kanë në dorë edhe materialet përmes kamerave të sigurisë brenda poligonit, por edhe video-incizime të tjera që janë bërë me telefon, e ku shihet edhe momenti i ngjarjes tragjike.

Në një nga video-incizimet ku shihet 24-vjeçarja duke shtënë me armë zjarri, në një moment, ajo manovron me armë dhe qëllon veten në pjesën e abdomenit. Lëndimet që mori nga plagosja i shkaktuan vdekjen 24- vjeçares nga Gjilani, e cila bashkë me një person tjetër kishin shkuar në poligon për të gjuajtur me armë.

Policia, për këtë rast ka arrestuar një person, konkretisht pronarin e poligonit të gjuajtjes me armë, i cili në atë kohë ishte edhe instruktor. Dyshimet që ka ngritur prokuroria janë se pronari nuk e mbikëqyri të renë deri sa po gjuante me armë dhe nuk kishte vepruar sipas rregullave. Me këto veprime, pretendohet se ai ka shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve që ishin brenda poligonit.

Sipas dosjes që ka siguruar KALLXO.com, H.R., pronar dhe instruktor, fillimisht e kishte lënë viktimën dhe personin tjetër që ishte me të, që të pajisen me armë zjarri dhe municion e më pas të njëjtit kishin vazhduar për te pjesa ku zhvillohej gjuajtja pa mbikëqyrje.

Dosja e prokurorisë me të cilën i ka kërkuar gjykatës që të caktojë paraburgimin tashmë ndaj të dyshuarit- pronarit dhe instruktorit të poligonit të gjuajtjes me armë- tregon edhe arsyetimin.

Prokuroria ka konsideruar se është i nevojshëm paraburgimi pasi që ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale që i vihet në barrë dhe ky dyshim mbështetet në provat të cilat i janë bashkëngjitur Kallëzimit Penal si, deklaratat e dëshmitarëve si dhe shkresat e tjera të lëndës.

Një kusht tjetër, sic ka theksuar prokuroria në dosje, është se me faktin se i pandehuri është i njoftuar se ndaj tij kanë filluar hetimet për shkak të veprës penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm me pasoja vdekjeje”, e ku dihet se dënimi i paraparë për këtë vepër është mjaft i rëndë, ekziston rreziku i arratisjes dhe pengimit të procedurës.

Në këtë rast, prokuroria ka vlerësuar edhe se nëse i dyshuari është në liri mund të ndikojë edhe në dëshmitarë- në tre të tillë që janë përmendur në dosje.

Në dosje përmendet edhe neglizhenca që i dyshuari pati në raport me viktimën duke i mundësuar që pa mbikëqyrje të gjuaj me armë e që gjatë manovrimit të qëlloj edhe veten.