Poezi nga: Angel Gonzalez
Përktheu: Maksim Rakipaj
Kur nata më shtërngon në pagjumësinë e zakonshme
dhe shndërron
çdo minutë në përvjetor
për të gjitha ndodhitë e një jete;
atje,
në këndin më të errët të braktisjes
ku asnjëherë dhe dje përplaseshin hijet,
më turren kujtimet.
Disa më shpojnë me vështrimin tënd të blertë
të tjerët
mu në shpinë më ngulen
shpirt i bardhë i një ëndrre të largët,
me zë që s’dëgjohet
me buzë të shtërnguara që s’flasin,
më kanos:
harresën o jetën!
I njoh fytyrat.
Nuk largohem.
Mbyll sytë për të parë
dhe ndjej
që më ngul thikën e ftohtë,
atje ku duhet,
këtë hekurishte të vjetër:
kujtesën.