Anëtarë të Degës në Pejë të Listës Guxo kanë dhënë dorëheqje. Nezir Jahmurtaj, Ruzhdi Blakaj, Ramiz Cukaj dhe Feriz Gashi kanë dhënë dorëheqje me arsyetimin se partia nuk po i jep mbështetje presidentes Vjosa Osmani.

Anëtarë të Degës në Pejë të Listës Guxo kanë shprehur se vendimi për dorëheqje vjen edhe si rezultat i mosdorëheqjes së dy bashkëkryetarëve të partisë, Faton Peci e Donika Gërvalla, të cilët i kanë quajtur “uzurpues” të Guxo.


“Është tepër shqetësues qëndrimi i znj. Donika Gërvalla, e cila ka lobuar kundër rizgjedhjes së Presidentes Osmani. Për ne është e papranueshme që brenda të njëjtit subjekt politik të mungojë përkrahja për një Presidente që ka dëshmuar integritet dhe përkushtim ndaj shtetit, si dhe ka bërë punë të jashtëzakonshme në politikën e jashtme”, thuhet në njoftimin e Blakajt duke shtuar se tash e tutje mbështesin Osmanin në çdo vendim të mëtejmë.

Të enjten, kryetarja e degës në Deçan, Rabije Haklaj, njoftoi se ka dhënë dorëheqje bashkë me kryesinë e degës nga të gjitha strukturat e partisë. Edhe arsyetimi i tyre ka qenë për shkak të qëndrimeve për presidenten Osmani. /Telegrafi/