Donat Rrudhani shënon penalltinë vendimtare - por tani do të përballet me "rrahje" nga shokët e ekipit

Donat Rrudhani ka qenë protagonisti i ndeshjes së fundit të FC Sion, ku me një penallti të shënuar siguroi fitoren 1-0 kundër Grasshoppers, ndërsa ai pas ndeshjes falënderoi shokun e skuadrës që ia dha mundësin të gjuante.
Por ai do të përballet me traditën e njohur të “tunelit”, një provë që lojtarët e ekipit i bëjnë shokut golashënues për ta festuar në mënyrë të veçantë golin e parë.
Historia filloi me një gjest të thjeshtë, por të veçantë: kur gjyqtari me VAR akordoi penallti, shoku i tij i skuadrës, Ali Kabacalman, nuk e mori për vete. Ai vendosi t’ia kalonte topin Rrudhanit, duke i dhënë mundësinë që të shënonte golin e tij të parë për Sionin.

“Më erdhi menjëherë se Donat duhej të shënonte. Doja që ai të merrte këtë moment të veçantë”, deklaroi Kabacalman pas ndeshjes.
Trajneri i Sionit, Didier Tholot, komentoi momentin, duke treguar se momente të tilla e bashkojnë ekipin.
“Ky ekip është gjallë, është i shëndetshëm. Momente të tilla tregojnë se lojtarët e pëlqejnë njëri-tjetrin”, deklaroi ai.
Për Rrudhanin, ky ishte një moment i veçantë. Lojtari është pjesë e klubit të Valais për pak më shumë se dy muaj, pasi u transferua nga Young Boys, dhe kjo ishte hera e tij e parë si titullar, pas dëmtimit të Benjamin Kololli.
Performanca e tij i siguroi notën 6 nga Blick, ndërsa bashkëpunimi me shokun e ekipit Rilind Nivokazi duket sikur ka vite që funksionon së bashku.

Pas golit, Rrudhani mbeti modest, duke falënderuar Kabacalman dhe shokët e ekipit për mbështetjen. Ai theksoi rëndësinë e fitores.
“Liga është kaq e ngushtë; dy fitore mund të të çojnë në krye, dhe dy humbje papritmas të çojnë në vendin e 11”, deklaroi përfaqësuesi i Kosovës.
Megjithatë, nuk mund të shpëtojë nga “tuneli”, një traditë ku lojtarët e ekipit i japin një provë të lehtë golashënuesit. Rrudhani e pranoi me buzëqeshje, duke komentuar: “Mendoj se duhet ta kaloj tani – është pjesë e ekipit dhe kjo është pjesë e festës”. /Telegrafi/
















































