Presidenti në largim i Këshillit Evropian, Donald Tusk u zgjodh presidenti i ri i Partisë Popullore Evropiane, bllokut më të madh brenda Parlamentit të Bashkimit Evropian.
Tusk u zotua të luftojë “populistët, manipuluesit dhe autokratët”, transmeton Telegrafi.
“Ne nuk do të sakrifikojmë vlera si liritë qytetare, sundimin e ligjit dhe vendosmërinë në një jetë publike në altarin e sigurisë dhe rendit, sepse thjesht nuk ka nevojë”, shtoi ai.
Vërejtjet, të bëra në një kongres në Zagreb, Kroaci, mund të kenë qenë një sulm ndaj partisë së kryeministrit hungarez Victor Orban, Fidesz, i cili u pezullua nga blloku në fillim të vitit. Fidesz nuk u ftua të merrte pjesë në kongres pasi filluan një fushatë posterësh anti-Bruksel.
“Dikush gjithashtu ka punuar shumë, duke vendosur një gardh dhe tabela me propagandën kundër migracionit”, tha Tusk në një aluzion të dukshëm për Orban.
“Unë jam gati të luftoj dhe shpresoj që edhe ju të jeni gati”, u tha ai anëtarëve të mbledhur.
PPE përbëhet nga mbi 70 parti nga kombe të ndryshme të BE-së dhe mban 182 nga 751 ulëset e Parlamentit Evropian.
Partia CDU e kancelares gjermane Angela Merkel dhe republikanët francezë janë anëtarë, siç është edhe Komisioneri Evropian në ardhje, Ursula von der Leyen.
Tusk zëvendëson francezin Joseph Daul. /Telegrafi/