Dogana sekuestron 431 adapterë të markave Samsung dhe Apple me origjinë nga Kina

Dogana e Kosovës ka ndaluar një sasi mallrash të padeklaruara gjatë një kontrolli rutinor në pikën kufitare të Hanit të Elezit.
Rasti ka ndodhur më 5 shtator 2025, rreth orës 22:00. Sipas njoftimit për media, automjeti që vinte nga Maqedonia e Veriut ishte ndalur për kontroll, ndërsa drejtuesi i tij kishte deklaruar se nuk kishte mall për të raportuar.
“Megjithatë, pas një kontrolli të detajuar, zyrtarët doganorë kanë zbuluar mallra të padeklaruara të llojeve të ndryshme, kryesisht adapterë me origjinë nga Kina,” thuhet në njoftimin zyrtar.
Në total janë sekuestruar 431 copë adapterë të markave të mbrojtura si Samsung dhe Apple, të cilat janë dërguar për verifikim në Sektorin për Pronësi Industriale (DPI).
Dogana bëri të ditur se mallrat janë ndaluar përkohësisht dhe se procedurat përkatëse ligjore janë duke u ndjekur.
“Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin e tregtisë së mallrave të padeklaruara dhe mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale,” përfundon njoftimi. /Telegrafi/

















































