Demokracia në Veprim (DnV) ka vlerësuar se raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Kosovë është zhvilluar në mënyrë të qetë dhe pa incidente të mëdha, ndërsa qytetarët kanë pasur mundësi të votojnë lirshëm dhe procesi në qendrat e votimit është menaxhuar përgjithësisht mirë.

Në komunikatën e saj, DnV thekson se një ndryshim i rëndësishëm në këtë raund ka qenë zbatimi më i rreptë i procedurës për votimin me asistencë, çka ka sjellë një ulje të ndjeshme të rasteve të tilla krahasuar me raundin e parë.


Megjithatë, organizata vëren se ndryshimi i mënyrës së zbatimit të këtij rregulli nga KQZ-ja mes dy raundeve ka krijuar vështirësi për disa votues – sidomos për personat e moshuar dhe ata me vështirësi në shkrim-lexim, të cilët nuk kanë mundur të votojnë për shkak të mungesës së dokumentacionit të kërkuar.

DnV ka ngritur shqetësim edhe për angazhimin publik të Kryeministrit në detyrë gjatë ditës së zgjedhjeve, duke theksuar se kjo cënon neutralitetin institucional dhe krijon perceptim të ndërhyrjes në procesin zgjedhor. Sipas organizatës, ndonëse kjo nuk ka ndikuar drejtpërdrejt në mbarëvajtjen e procesit, bie ndesh me parimin e barazisë në garë dhe me standardet e sjelljes gjatë ditës së zgjedhjeve.

Në fund, DnV kërkon që procesi i numërimit dhe publikimit të rezultateve të zhvillohet me transparencë dhe saktësi të plotë, ndërsa u bën thirrje subjekteve politike të presin publikimin e rezultateve preliminare nga KQZ-ja para se të shpallin fitoret, në mënyrë që të ruhet qetësia dhe integriteti i procesit zgjedhor.