Kandidati për deputet, Altin Krasniqi, djali i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, ka reaguar pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, duke falënderuar qytetarët për mbështetjen e dhënë, edhe pse ajo nuk ishte e mjaftueshme për të siguruar një mandat të ri.

Në një postim, Krasniqi ka thënë se vota dhe mbështetja e qytetarëve për të përfaqësojnë një besim të madh.


“Ju falënderoj nga zemra secilin qytetar për votën dhe mbështetjen që ma keni dhënë më 28 dhjetor. Kjo mbështetje, edhe pse nuk ishte e mjaftueshme për ta arritur qëllimin, për mua përfaqëson një besim të madh”, ka shkruar ai.

Krasniqi ka theksuar se gjatë fushatës ka ndier pritje për ndryshim në çdo vend ku është takuar me qytetarët.

“Në çdo shtëpi, në çdo fshat e në çdo qytet ku jam pritur me respekt dhe dinjitet, kam ndier nga afër besimin tuaj dhe pritjen për ndryshim”, ka deklaruar ai.

Ai ka shtuar se angazhimi i tij politik nuk ka qenë asnjëherë personal, por gjithmonë në shërbim të interesit të përgjithshëm.

“Ky besim është arsyeja pse angazhimi im publik nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë personal, por gjithmonë në shërbim të qytetarëve dhe interesit të përgjithshëm”, ka theksuar Krasniqi.

Duke folur për mandatin e tij të parë, të cilin e cilëson si të shkurtër, Krasniqi ka thënë se është përpjekur të japë maksimumin për vendin dhe për partinë.

“Edhe pse mandati im i parë ishte i shkurtër, jam përpjekur vazhdimisht ta jap maksimumin për vendin dhe për partinë, duke vepruar me përgjegjësi dhe bindje politike”, ka shkruar ai.

Ai ka pranuar se ka mbështetur vendime partiake edhe kur ato nuk kanë qenë të lehta apo të favorshme për të personalisht.

“Edhe në momente të vështira, kur vendimet e partisë nuk kanë qenë të lehta e as gjithmonë të mirëpritura, kam zgjedhur t’i respektoj ato”, ka shtuar Krasniqi.

Në fund, Krasniqi ka bërë thirrje që qeverisja e ardhshme të fokusohet në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe kthimin e Kosovës drejt normalitetit dhe zhvillimit.

“Vendi ka nevojë për qeverisje me vizion dhe përgjegjësi, jo për stagnim, përçarje dhe gjuhë urrejtjeje”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/