Nga: Ben Blushi

Këtë burrë me kryq mbi shpinë, e takova përpara ndeshjes Roma-Feynord në Tiranë.


- Ç’bën këtu - e pyeta.

- Të gjithë janë tifozë të futbollit sot - tha.

- Po ti çfarë je?

- Unë jam tifoz i Krishtit.

- Ku po e çon këtë kryq?

- Nuk po e çoj asgjëkundi, po e mbaj mbi shpinë.

- Pra, ti mban mbi shpinë mëkatet tona si Krishti?

- Sigurisht, edhe të tuat.

- Nuk mendon se pesha e mëkateve është e pamundur të mbahet nga një njeri i vetëm?

- Dikush duhet ta bëjë - tha burri.

- Po pse ti? - e pyeta.

- Sepse askush nuk e bën, as ti nuk e bën.

- Unë sigurisht nuk e bëj, mezi mbaj mëkatet e mia - thashë unë.

- Ti nuk beson - tha burri.

- Nga e di ti që nuk besoj ?

- Të kam lexuar librat.

- Mendon se kuptohet shkrimtari nga librat e vet? - e pyeta.

- Shpirti i shkrimtarit mund të njihet nga mënyra si flet për shpirtrat e tjerë.

- Po nëse unë të bëj ty një foto, a mendon se mund ta njoh shpirtin tënd përmes saj?

- Fotoja nuk është pasqyrë e shpirtit, por e çastit - tha burri.

- Meqë u njohëm, do të të bëj një nder - thashë unë.

- Çfarë nderi? - pyeti burri.

- Nuk do ta tregoj as emrin as fytyrën.

- Po pse do të më fshehësh? - pyeti burri.

- Dua të të mbroj - thashë unë.

- Nga kush do më mbrosh?

- Nga gjithë ata që bëjnë mëkate dhe do vijnë tek ty të të kërkojnë t’ua mbash kryqin mbi shpinë - thashë unë.

- Kjo është detyra e Zotit - tha burri - nuk kam nevojë të më mbrosh nga mëkatarët.

- Epo tani ta dhashë fjalën, thashë unë, mbete i panjohur.

- Vetëm në Facebook-un tënd - tha burri.

Blushi