Dibran Hoxha - ‘Kobra’, i akuzuar për vrasjen e të riut nga Kukësi del para Apelit

Dibran Hoxha i njohur me nofkën ‘Kobra’, i akuzuar për vrasjen e të riut nga Kukësi në vitin 2023 në lokalin “Cobra City” në Prizren, sot më 30.03.2026 ka dalur para kolegjit gjykues të Gjykatës së Apelit.
Dibran Hoxha nga PSRK, po akuzohet për veprën penale “vrasje e rëndë” ndaj viktimës V. C. dhe për armëmbajtje pa leje, ndërsa katër të akuzuarit e tjerë, Roland Susuri, Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesmir Badallaj po akuzohen për pjesëmarrje në rrahje, për manipulim me prova, dhe për armëmbajtje pa leje.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 09.10.2025, Dibran Hoxhës i ka shqiptuar 23 vite dënim me burgim kurse për armëmbajtje i njëti është dënuar me 2 vite burgim. Dënimi unik për Dibran Hoxhën është përcaktuar dënimi prej 24 vite burgim.
I akuzuari Roland Susuri për tri vepra penale është dënuar me burgim unik prej 7 vite. Për pjesëmarrje në rrahje 1 vit e 6 muaj burgim, manipulim me prova 4 vite e 6 muaj, kurse për armëmbajtje pa leje 1 vit e 6 muaj.
Arben Vezaj për pjesëmarrje në rrahje është dënuar me 1 vit burg.
Burim Mazreku për manipulim me prova është dënuar me 1 vit burg, dhe Jesmir Badallaj për pjesëmarrje në rrahje, dhe armëmbajtje pa leje i është shqiptuar dënim unik në kohëzgjatje prej 2 viteve.
Në seancën e Apelit të mbajtur sot më 30.03.2026 u elaboruan ankesat e avokatit të palës së dëmtuar dhe ankesat e mbrojtjes së të akuzuarve.
Avokati i palës së dëmtuar, avokati Emrush Kastrati tha se ankesën e tyre e kanë parashtruar vetëm sa i përket lartësisë së dënimit
Avokati Kastrati kërkoi nga Gjykata e Apelit që dënimi i shqiptuar në kohëzgjatje prej 24 vite ndaj të akuzuarit Dibran Hoxha të ndryshohet dhe të njëjtit t’i shqiptohet një dënim më i lartë.
Mbrojtësi i të akuzuarit Dibran Hoxha, avokati Florent Latifaj tha se ankesën e në Gjykatën e Apelit e kanë parashtruar për të gjitha bazat ankimore.
Sipas Latifajt, aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë me shkelje esenciale në shkelje të dispozitave të procedurës penale.
Tutje, Latifaj tha se aktgykimi i shkallë së parë është në kundërshtim në vetvete dhe me arsyetimin e tij.
“Dispozitivi paraqet një fakt tjetër ndërsa arsyetimi diçka tjetër.”- tha avokati Florent Latifaj.
Më tej avokati Latifaj kërkoi nga Apeli që akgjykimi i shkallës së parë të prishet, rasti të kthehet në rigjykim dhe të dilet në vendin e ngjarjes, apo që i mbrojturi i tij të lirohet nga akuza që i vihet në barrë, pasi sipas tij me provat e administuara në shkallë të parë nuk është vërtetuar se i mbrojturi i tij ka kryer veprën penale për të cilën po akuzohet.
Ndërsa, i akuzuari Dibran Hoxha kërkoi nga Gjykata e Apelit që në cilësi të dëshmitarit të ftohet polici i doganës në Shqipëri.
“Kam një kërkesë nëse ka mundësi me ma ftu policin e doganës së Shqipërisë, me ma sjellë si dëshmitar, nëse ka mundësi.”- tha i akuzuari Hoxha.
Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Roland Susuri, avokati Ruhan Salihu, tha se Gjykata e shkallës së parë ka bërë shkelje esenciale kur ka sjellë aktgjykimin ndaj të akuzuarve.
Sipas avokatit Salihu me asnjë provë nuk është vërtetuar se i mbrojturi i tij ka kryer veprën penale “manipulim me prova” dhe veprën penale “armëmbajtje pa leje”.
Më tej, avokati Ruhan Salihu kërkoi nga Gjykata e Apelit që të mbrojturin e tij ta lirojë nga vepra penale “manipulim me propa” dhe për veprën penale “armëmbajtje pa leje”, ndërsa i njëjti të shpallet fajtor për veprën penale “pjesëmarrje në rrahje”.
Mbrojtësi i të akuzuarit Jesmir Badallaj, avokati Jeton Rekathati tha se vendimi i shkallës së parë është i pa bazuar në prova ligjore dhe ka mangësi.
Sipas avokatit vendimi i Themelores është mbështetur vetëm në deklarata të të dëmtuarve e të cilat sipas tij kanë kontradikta mes veti.
Sipas mbrojtjes së të akuzuarit Badallaj, në mungesë të provave materiale nuk mund të qëndroj konstatimi i Themelores se i mbrojturi i tij ka kryer veprat penale për të cilat është shpallur fajtor, dhe kërkoi nga Gjykata e Apelit që aktgjykimin e shkallës së parë ta ndryshoj, ndaj të mbrojturit të tij të merret aktgjykim lirues apo rasti të kthehet në rivendosje.
Tutje, i akuzuari Jesmir Badallaj tha se vet është i dëmtuar, mirëpo sipas tij kjo gjë nuk është e shkruar.
Ndryshe në seancë nga radhët e Prokurorisë së Apelit nuk prezentoi askush.
Krejt në fund gjyqtarja Albina Shabani- Rama njoftoi palët se në afat ligjor do ta pranojën vendimin e Gjykatës së Apelit përmes Gjykatës së shkallës së parë.
Kjo çështje penale në Gjykatën e Apelit po trajtohet nga kolegji në përbërje të gjyqtarëve: Albina Shabani- Rama (kryetare e kolegjit), Mentor Bajraktari (gjyqtar referues) dhe Valon Kurtaj (anëtarë)
Kjo çështje penale në shkallë të parë është gjykuar nga trupi gjykues i përbërë nga: Kujtim Krasniqi (kryetar i trupit gjykues), Ngadhnjim Arrni e Vesel Ismaili (anëtarë).
Kujtojmë se në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 07.03.2024, të akuzuarit nuk e kishin pranuar fajësinë për veprat penale që u vihen në barrë.
Dosja e Prokurorisë
Dibran Hoxha po akuzohet për vrasjen e rëndë të viktimës V. C., më 03.01.2023, në afërsi të lokalit të të akuzuarit “Cobra City”, në Prizren.
Sipas aktakuzës, vrasja ka ndodhur për motive të ulëta të demonstrimit të forcës së paskrupullt, për të gjithë ata të cilët e kundërshtojnë atë.
Dosja thotë se deri te vrasja çoi një faturë e lartë në lokal, që rezultoi me rrahje mes punëtorëve të lokalit dhe viktimës e të dëmtuarve, Rutgen Tsvyatkova dhe Arben Basha. Këta të fundit, sipas dosjes, kanë hyrë në veturë për t’u larguar, por në atë kohë arrin Dibran Hoxha – Kobra, i cili ishte njoftuar për ngjarjen.
Në dosje thuhet se vetura me viktimën ka qenë duke u nisur dhe në atë moment Dibran Hoxha e ka hapur derën e shoferit, ku me pistoletë e ka goditur të dëmtuarin Rutgen Tsvyatkova.
Dosja thotë më pas se i akuzuari Hoxhaj ka shtënë edhe katër herë, me ç’rast ka goditur viktimën V.C., i cili ka qenë ulur në pjesën e pasme të makinës dhe i cili rrugës për në spital kishte ndërruar jetë.
Për këtë Prokuroria e ngarkon me veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Roland Susuri dhe Burim Mazreku akuzohen për “manipulim me prova”. Po ashtu, Roland Susuri, Jesmir Badallaj dhe Arben Vezaj akuzohen për “pjesëmarrje në rrahje”. Ndërsa, Roland Susuri dhe Jesmir Badallaj akuzohen edhe për “armëmbajtje pa leje”./Kallxo.



















































