LAJMI I FUNDIT:

Dhembja abdominale

Dhembja abdominale

Dhembja abdominale shumë shpesh është një ndodhi dramatike, e cila kërkon vendosjen e saktë të diagnozës së sëmundjes dhe zbulimin e shkaktarit të dhembjes.

Prof.ass.dr. Isuf Bajrami
Spec. i mjekësisë urgjente
tel. 044 199161
isufbajrami@yahoo.com

Më së shpeshti me këto situata sprovohemi në banesë të pacientit, në rrugë, ku në njërën anë qëndron mjeku me njohurit e veta, përvojë dhe vetëdije, e në anën tjetër i sëmuri i cili vuan dhe pret ndihmë të shpejtë dhe efikase. Kjo bëhet edhe më e vështirë kur këta pacient i takojmë jashtë institucioneve shëndetësore, pa pajisje të nevojshme diagnostike.

Përgjigjuni racionalisht në pyetjet e parashtruara. Pikërisht për këto shkaqe, rrallë diku tjetër në mjekësin klinike është e një rëndësie më të veçantë se sa vendosja urgjente e diagnozës, marrja e kujdesshme e anamnezës dhe ekzaminimi detal klinik qe bashkë me njëfarë përvoje, në 80% të rasteve mundësojnë zbulimin e shkaktarëve të dhembjes abdominale.


Parashtrimi i qëlluar i pyetjeve
Më e rëndësishmja – anamneza detale. Pyetjet e parashtruara pacientit duhet të jenë të qarta, të thukëta, përgjigjet e tij duhet dëgjuar me kujdes. Në veçanti duhet të shmangen pyetjet sugjestive, në të cilat një pjesë e të sëmurëve përgjigjen me miratim edhe pse kjo nuk është plotësisht e saktë. Kujdes duhet kushtuar në fillimin, renditjen e simptomave, posaçërisht në lokalizimin e dhembjes dhe drejtimet e përhapjes së saj. Te femrat të rëndësishme të dhënat për ciklin menstrual, te të gjithë të sëmurët urinimi dhe jashtëqitja.
Gjendja në të cilën kërkohet intervenimi urgjent definohet si Abdomen akut. Abdomeni akut definohet si gjendje akute e rrezikshme e shkaktuar nga sëmundja e një ose më shumë organeve në abdomen, që përcillet me dhembje të shpejte dhe të vrullshme në qeskën abdominale me shenja dhe simptome tjera. Në këtë rast kërkohet vendi dhe lloji i procesit patologjik më e rëndësishmja është përcaktimi i shkallës së urgjencës dhe nevoja eventuale për tretman operativ.

Ekzistojnë gjendje të cilat për një kohë të shkurtë shpijnë në inflamacion të qeskës abdominale dhe pasqyra klinike e ndodhisë së abdomenit akut. Është i gjerë spektri i shkaktarëve të mundshëm të cilët janë të shpeshtë ose të rrallë. Ndër më të shpeshtit janë: ndezja akute e zorrës qorre, ndezja akute e kanaleve biliare, perforimi i mukozës së qeskës biliare, perforimi i mukozës së lukthit dhe zorrës dymbëdhjetëgishtore, proceset malinje, hernia e inkarceruar, inflamacioni nekrotizues i pankreasit etj.
Kemi gjithashtu shumë sëmundje të cilat imitojnë abdomenin akut, si psh: tumoret e zorrëve, kolika biliare, inflamacionet me ngushtime të zorrëve, retencioni urinar, ndezjet e mushkërive, pleurës, sëmundjet e unazave, sëmundjet e pelvikut, sëmundjet akute të mëlçisë, herpes zoster etj. Nga kjo që u tha vendosja e saktë e diagnozës është e një rëndësie të veçantë. Siç është theksuar, më e rëndësishmja është marrja e kujdesshme e anamnezës. Në anamnezë një vëmendje e posaçme i kushtohet karakterit të dhembjes, dispepsisë, nauzesë, lajmërimit të vjelljes, diarresë, konstipacionit ose obstipacionit, etheve ose ngritjes së temperaturës.
Dispepsia, mundimi dhe vjellja janë simptoma karakteristike të shpeshta ndodhisë së abdomenit akut të dobishme për njohjen dhe diferencimin e abdomenit akut.

Simptomat të cilat përcjellin dhembjen

Nauzea (mundimi); është ndjenjë e jorehatisë e cila përcillet me zbehje, rritje e sekretit të mukusit, ngadalësim i punës së zemrës dhe ulje e tensionit, simptome këto që shpesh i paraprijnë vjelljes.

Dispepsia; ndjenjë e shpeshtë e shqetësimit, e lidhur me marrjen e ushqimit, të shoqëruara me dhembje abdominale, mundim, esëll dhe përdredhje.

Vjellja; hedhje e vrullshme refleksive e përmbajtjes së lukthit, e shoqëruar me ngërçe të diafragmës dhe muskujve të barkut. Vjellja është karakteristikë për gastroenteritin akut (shenja e parë), abdomenin akut, sëmundjet akute infektive dhe marrja e barnave. Prandaj kërkohet të hulumtohet karakteri i vjelljes, paraqitja, koha e lajmërimit, lidhshmëria me ushqimin, që shpesh e qartëson pasqyrën klinike.

Regurgitacioni; nënkupton kthimin ose hedhjen e sasisë së vogël të sekretit ose përmbajtjes ne gojë, pa gërrqe të muskujve.

Hematemeza; është vjellje e sasisë së madhe të gjakut me ngjyrë të mbylltë.

Diarreja (barkëqitja); është rritja e sasisë së lëngjeve në feqe ose barkqitjet e shpeshta me feces. Barkqitjet akute rëndom janë karakteristikë për gastroenteritin akut, gjegjësisht infeksionet e mukozës së zorrëve me salmonella, ose toksinat në ushqim.

Obstipacioni; nënkupton mbylljen e fecesit, të cilat bëhen të thata, të vogla për nga sasia dhe me defekim të rrallë. Pasoj më e shpeshtë është ushqimi joadekuat, çrregullimeve të funksionit të zorrëve, por edhe me simptomat tjera të pranishme, mundë të jetë shenjë e ileusit ose ndonjë ndodhie tjetër akute në abdomen.

Temperatura e lartë trupore; janë evidentuar te shumica e gjendjeve akute abdominale.

Vlerësimi i dhembjes; është e një rëndësie të madhe. Dhembja mund të jetë eksplozive(perforimi i zorrës, aneurizma) e vazhdueshme intensive, progresive, e ndryshueshme, sasiore.

Kolika; është dhembje me gërrqe, shkaktohet nga peristaltika e sforcuar e organeve kavitare me qëllim të tejkalimit të ndonjë pengese. Vendi i dhembjes na orienton në diagnozë, prandaj është mirë të dihet lokalizimi i dhembjes dhe përhapja ose ‘rrezatimi’ i saj në abdomen.

Tentojmë të fitojmë informata për prezencën ose mosparaqitjen e simptomave tjera. Qëllimi i informatave të shkurtra dhe koncize për disa simptome që lidhen dhe lajmërohen në abdomen, ishte që të ndihmohet pacienti që sa më lehtë t’i vërej, dhe të përqendrojë vëmendjen në këto, ashtu që me vëmendje t’i ndihmojë mjekut, në vlerësimin e urgjencës së dhembjes abdominale. E rëndësisë së jashtëzakonshme është që pacienti, i cili i drejtohet për ndihmë mjekut, t’i besojë dhe të bashkëpunojë me të.

Në vend të përfundimit: shkaktari i dhembjes shpesh fshihet në përgjigjet e katër pyetjeve: Çfarë është karakteri dhe lloji i dhembjes, kur lajmërohet, ku lokalizohet, zgjerohet dhembja dhe për çfarë arsye lajmërohet?
Këto janë pyetjet më të shpeshta të cilat e drejtojnë pacientin në kërkimin dhe thirrjen e shërbimit të urgjencës.
/Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Plaga e hapur në lukth: Të gjitha simptomat e të thatit dhe si t’i zbusim vështirësitë e pakëndshme!

Plaga e hapur në lukth: Të gjitha simptomat e të thatit dhe si t’i zbusim vështirësitë e pakëndshme!

Shëndetësi
Kalo në kategori