Detaje nga shpërthimi tragjik në Pejë, viktima dyshohet se kishte shkuar për të rregulluar një problem te pompa e derivateve

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur sot në Pejë, ku një person ka humbur jetën pas një shpërthimi të një cisterne që ndodhi në një pompë të derivateve.Telegrafi ka mësuar se viktima, 45-vjeç dyshohet se ishte një mjeshtër, i cili edhe kishte shkuar për të rregulluar problemin që ishte në pompën e derivateve.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, më herët konfirmoi se rasti ka ndodhur mëngjesin e sotëm.
“Një person ka humbur jetën si pasojë e shpërthimit. Në vendin e ngjarjes janë zjarrfikësit, kryeprokurori, policia dhe të gjitha organet kompetente”, tha ai.
Ndryshe, rruga Pejë-Deçan është bllokuar për qarkullim deri në përfundimin e procedurave nga Policia, e cila po qëndron te rrethi i njohur si i “Ukajve” dhe pas ekzaminimit do të lirohet për qarkullim. /Telegrafi/


















































