Site icon Telegrafi

Dëshmitari thotë se komunikoi në telefon me oficerin korrektues pasi dhëndri i tij i kërkoi barna “Oki” në Burgun e Prizrenit

Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prizren, dëshmitari Murat Kadrija, ka thënë se me të akuzuarin Bajram Rexhaj, ka komunikuar me telefon, pasi që miku i tij i kishte kërkuar që t’i dërgojë barna “Oki” në Burgun e Prizrenit.

Këtë deklarim, dëshmitari Kadrija e ka dhënë të enjten në Gjykatën Themelore në Prizren, në rastin ku Rexhaj po akuzohet se në cilësinë e oficerit korrektues, më 16 mars 2022 kishte pranuar ryshfet 50 euro me qëllim që të fus gjëra të ndaluara në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Dëshmitari tha se në bisedën telefonike me të akuzuarin Rexhaj, kishin lënë takim, por që nuk e kanë realizuar.

“Po, kam pas një telefonatë prej dhëndrit i cili ka qenë në Burgun e Prizrenit… Ka kërkuar barna ‘OKI’. Edhe unë e kam thirr Bajram Rexhën në telefon, i kam kërkuar për me u taku, Bajram Rexhaj më ka thënë kinse kemi me u taku, por nuk jena takuar. E kam prit para një kafiterie, në mos gaboj është tek ‘Tregu i Gjelbër’, emri s’po më kujtohet, e kam thirr edhe njëherë nuk i ka bërë telefoni. Të nesërmen më ka telefonuar dhëndri dhe më ka thënë leje krejt, mos mi bjer”, ka thënë dëshmitari Kadrija, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Rexhaj, avokatit Besnik Berisha, Kadrija ka thënë se të akuzuarin Rexhaj nuk e ka takuar asnjëherë dhe se nuk e njeh.

Paraprakisht, në këtë seancë është dëgjuar edhe dëshmitari Din Morina, i cili ka treguar se nga viti 2021 deri më 25 mars 2022, ka qenë vuajtje të dënimit në Burgun e Prizrenit.

Ai ka treguar se i ka njohur të gjithë gardianët e burgut, duke përfshirë edhe të akuzuarin Rexhaj dhe se me të gjithë ka pasur raport të njëjtë.

Morina tha se i akuzuari Rexhaj si gardian shumicën e kohës ka qenë tek pjesa e pranimit apo tek skaneri për të hyrë te pjesa banuese.

Tutje, ai ka treguar se gjatë qëndrimit në burg çdo dy-tre ditë i janë nënshtruar bastisjes nga oficerët e burgut, si dhe oficerëve nga burgjet e tjera gjatë natës dhe se asnjëherë nuk i është gjetur ndonjë gjë e paligjshme.

Dëshmitari Morina tha se ilaçet që i kishte kërkuar në burg të cilat u përmendën në këtë seancë, ia kanë dhënë infermierët ose oficerët.

“Kam kërku ‘Oki’ apo ‘Solidamor’…brenda nuk ka pas, më kanë dhënë teknikët. Me rregull, me shkrim nuk ka pas, nuk lejohen, por më kanë dhënë teknikët, oficerët tjerë të vetat”, ka thënë Morina.

Sa i përket çështjes së thirrjeve telefonike, Morina ka thënë se kartelat e “IPKO-s” nuk kanë funksionuar në telefonin e burgut, në të cilin tha se kanë pasur të drejtë ta shfrytëzonin nga ora 7:00-19:00.

I njëjti ka pohuar se më 7 mars 2023, ka komunikuar me telefon me të akuzuarin Rexhaj, duke shtuar se i ka poseduar të gjitha numrat e gardianëve.

Lidhur me atë se a ka pranuar ndonjëherë ndonjë gjë të paligjshme nga i akuzuari Rexhaj ose i njëjti t’i ketë kërkuar shpërblim për t’i kryer ndonjë shërbim nga jashtë, dëshmitari Morina ka mohuar një gjë tillë.

Ndërsa, në pyetjen e prokurores Ervehe Gashi se a është e vërtetë që nga familjarët e tij nuk kishte kërkuar medikamentin, dëshmitari Morina këtë e ka pohuar.

Në fund, dëshmitari Morina ka thënë se këtu flitet për 7 marsin 2022 dhe se më 25 mars 2022 është liruar nga burgu dhe se nuk ka pasur nevojë për asnjë gjë ilegale, qoftë për ‘sim kartela’ apo ndonjë gjë tjetër.

Më pas, seanca e sotme është ndërprerë, kurse ajo e radhës është caktuar të mbahet më 14 shtator 2023.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren, më 27 maj 2022, i pandehuri Bajram Rexhaj, akuzohet se më 16 mars 2022, në cilësi të personi zyrtar ka vepruar në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare.

Sipas aktakuzës, i pandehuri ditën kritike në pompën e derivateve “Shell” në hyrjen e parë të Prizrenit gjatë aplikimit të masës së simulimit të veprës së korrupsionit, ka pranuar para në shumën prej 50 euro, me qëllim që të fusë gjëra të ndaluara në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, si: numër telefoni të “IPKO-s”, dy kartela mbushëse telefonike dhe një parfum për një të burgosur me nofkën “Edin”.

Me këtë, i pandehuri Rexhaj po akuzohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421, paragraf 2 i KPRK-së.

Exit mobile version