LAJMI I FUNDIT:

Derbi i vjetër mes Lirisë dhe Prishtinës zhvillohet në Prizren

Derbi i vjetër mes Lirisë dhe Prishtinës zhvillohet në Prizren

Liria e Prishtina nuk kanë shijuar fitore qe tri javë dhe etjen synojnë ta shuajnë sot në duel me njëra-tjetrën. Prizrenasit janë shumë optimistë, kurse bardhekaltrit thonë se do ta japin atomin e fundit për ta nisur një seri të fitoreve

Pas dy humbjeve e një barazimi FC Prishtina, e zhytur në krizë të rezultateve, të dielën do të udhëtojë drejt Prizrenit për t’u ballafaquar me rivalen shumë të vjetër të saj, Lirinë, e cila po shfaq formë të luhatshme, pasi as kjo skuadër nuk di për fitore qe tri javë.

Veç një pikë i dallon këto dy skuadra në renditjen tabelore, në favor të prizrenasve, të cilët sot do të mundohen ta shfrytëzojnë përparësinë e terrenit për t’iu kthyer fitoreve përballë bardhekaltërve.

“Ne i kemi humbur disa pikë në Prizren shkaku i gabimeve në minutat e fundit. Mirëpo, besoj që Liria po komponohet dhe pas barazimit me liderin në Mitrovicë, mu kundër Prishtinës do të tregojmë vlerat. E respektoj ish-skuadrën time, por pikët do të mbesin në Prizren”, ka deklaruar mbrojtësi i Lirisë, Visar Berisha, i cili vite më parë ishte pjesë e Prishtinës, ndërsa tani po kalon nëpër një formë shumë të mirë, shkruan sot gazeta "Zëri".


Por, pavarësisht krizës së Prishtinës, Liria nuk pritet ta ketë të lehtë ta arrijë objektivin, pasi bardhekaltrit thonë se do ta japin atomin e fundit në stadiumin “Përparim Thaçi” për ta shënuar një fitore që po u nevojitet jashtëzakonisht shumë për ta kthyer moralin dhe vetëbesimin në mesin e tyre.

“Nuk do ta kemi të lehtë. Por ne nuk kemi çka të humbasim, kështu që në Prizren shkojmë veç për fitore”, u shpreh mesfushori i kryeqytetasve, Bashkim Shala.

Takimi ndërmjet tyre nis në orën 15:00 dhe në të njëjtën kohë në Gjilan do të zhvillohet po ashtu një ndeshje shumë interesante.

Gjilani do të përpiqet t’u kthehet fitoreve përballë Vushtrrisë, që po tregohet e fortë për secilin ekip tjetër elitar.

Në anën tjetër skuadra e vetme e pamposhtur deri më tani, Trepça ’89, do të mundohet ta vazhdojë serinë pozitive të rezultateve si mysafire e Drenicës.

Në fakt, mitrovicasit synojnë që me një fitore ta përforcojnë pozicionin e tyre në krye të tabelës, derisa kuqezinjtë do të tentojnë t’ua shkaktojnë humbjen e parë në këtë stinor. Ky takim nis në orën 14:00.