Deputetja më e re nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Sala Jashari ka mbajtur një fjalim nga foltorja e kryetarit të Kuvendit, duke bërë thirrje për kthim te kompromisi si mënyra e vetme për të dalë nga bllokada institucionale.

Në fjalën e saj, Jashari kritikoi përpjekjet që sipas saj po bëhen për ta votuar në mënyrë "të fshehtë dhe arbitrare" një kandidate për kryetare të Kuvendit, duke theksuar se kjo nuk është formë e kompromisit të mirëfilltë.


“Përpjekja e vazhdueshme për ta votuar një të propozuar për kryeparlamentare, dhe atë në mënyrë të fshehtë dhe arbitrare.... Por ky nuk është kompromis. Kompromis është kur PDK i ka thënë LVV-së se do të votojmë një shumicë të konsiderueshme emrash të tyre për ta zgjidhur këtë situatë. Atëherë më tregoni çfarë zgjidhje po kërkohet, kur zgjidhja është para jush”, ka deklaruar ajo.

Jashari iu referua edhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me të drejtën e partisë fituese për të propozuar kryeparlamentarin: “Në Aktgjykimin e Kushtetueses është theksuar qartë se partia e parë fituese ka të drejtën të propozojë kandidatin për kryeparlamentar, por kjo nuk i jep të drejtë ekskluzive për ta zgjedhur atë”.

Deputetja e PDK-së përfundoi fjalën e saj me një thirrje për unitet dhe bashkëpunim: “Duhet patjetër të kthehemi te kompromisi dhe për këtë qëndrojmë të gjithë të bashkuar këtu”. /Telegrafi/