Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Tinka Kurti, ka reaguar për gjuhën e përdorur ndaj grave në Kuvendin e Kosovës, në seancën e fundit.
Ajo ka thënë se gjuha seksiste është shumëfishuar dhe sipas saj, fajtorë ka në seancë, në media dhe në rrjete sociale.
“Së pari kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku e sulmoi kryetaren e Grupit Parlamentar të LVV-së Mimoza Kusari – Lilën duke i përmendur moralin. Sa herë që morali u përmendet grave në politikë dihet tendenca dhe nuancat e këtij asociimi. E njëjta nuk ndodhë me burrat”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ajo ka përmendur edhe ministren Arbërie Nagavci dhe Albulena Haxhiu, të cilat sipas raportimeve në media kanë dalë në një mbrëmje derisa po mbahej seanca e Kuvendit.
“Së dyti disa prej mediave shkruan se dy ministre paskan dalë në mbrëmje derisa pritet të mbahet vazhdimi i seancës. Nuk është e ndaluar që gratë të dalin. Madje ka aktiviste që e kanë adresuar që prej moti këtë. Kurse deputeti Mërgim Lushtaku po në atë seancë ua përmendi më vonë alkoolin. Edhe kjo dihet që ka rol tjetër kur është fjala për gratë”.
Ndërkaq, sipas saj, deputetja Ganimete Musliu po ballafaqohet me komente fyese në Facebook dhe media pas një fjalimi në po atë seancë.
“Dënoj çdo ofendim që cenon integritetin njerëzor. Tash unë po pyetem se pse nuk po reagoj për komentet ndaj deputetes Musliu. Asnjëherë nuk jam dakord dhe nuk është hera e parë që reagoj por deputeten Musliu por nuk mund t’i fal politikanët e t’ia nis nga qytetarët. Pra, së pari kritikë politikanëve për keqpërdorim të mikrofonit në Kuvend pastaj qytetarëve për Facebook”.
“Me Mimozën, me Ganimeten, me Albulenėn, me Arbërinë. Ne duhet të jemi të gjitha bashkë, jo veç për veten tonë, por për të gjitha gratë e Kosovës që presim ta zvogëlojmë dhunën, të ndikojmë në punësim e arsim dhe në kushtet e jetës e eksperiencave të grave në përgjithësi”, ka përfunduar ajo. /Telegrafi/