Sportisti i Arteve Marciale Mikse (MMA) nga klubi ” Fight Team”, Demahmet Sinani, ka fituar meçin e radhës, që në rundin e parë.
Kësaj radhe ai mposhti brazilianin Manuel Barroso.
Talenti llapjan ka treguar paraqitje të jashtëzakonshme dhe qysh në ndeshjen e dytë si profesionist iu dha ngjarja kryesore në organizatën kroate FNC.
Si profesionist, ai ka fituar të dy ndeshjet në rundin e parë me fitore dhe më herët ka shkëlqyer si amator në sportet e MMA, Kick Box dhe Jiu Jitsu, duke fituar kampionate në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi.
Demahmeti në këtë ngjarje u paraqit me një replikë të përkrenares së Skënderbeut dhe flamujt e Kosovës dhe Shqipërisë, gjë që shkaktoi reagime të shumta tek publiku serb.
Ai është tani njëri ndër yjet më të përfolur të MMA në Ballkan dhe synon që një ditë të jetë pjesë e organizatës UFC.
Trajneri Arian Havolli dhe Drejtori i Rinisë, Sportit dhe Kulturës së Komunës së Podujevës, Pajtim Balaj, deklaruan se organizatorët janë tejet të impresionuar me Demahmetin dhe premtuan që së shpejti të organizojnë një event në Kosovë. /Telegrafi/