Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar lidhur me përplasjen që ka pasur deputeti tjetër i kësaj partie, Hisen Berisha me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në seancën e Kuvendit të enjten.
Berisha në foltoren e Kuvendit e përmendi rastin e Astrit Deharit duke akuzuar Qeverinë Kurti për ndërhyrje direkte. Ai po ashtu tha se Lëvizjes Vetëvendosje nuk i konvenon zbardhja e këtij rasti. Kjo i nervozoi shumë deputetët e partisë në pushtet dhe ministren Haxhiu, të cilët duke bërë zhurmë nga ulëset e tyre u munduan që ta pengojnë fjalimin e Berishës. Madje, Haxhiu u ngrit edhe në këmbë duke iu drejtuar deputetit opozitar me fjalët “Marre të koftë. Juve ua kisha ndalu me ligj me fol për rastin e Astrit Deharit sepse ju keni qenë në Qeveri kur është vrarë Astrit Dehari”.
Ndaj këtyre deklarimeve të ministres ka reaguar të premten deputetja Deliu-Kodra, e cila ka thënë se Haxhiu “krye në vete” ka konstatuar se Astrit Dehari është vrarë nga pushteti i PDK-së, transmeton Telegrafi.
“Çka tha Albulena Haxhiu dje? ‘Ju i keni duart e lyme me gjak’, kështu e akuzoi PDK-në dje ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu. Dhe këtu ajo nxori në pah një varg problemesh”, ka shkruar deputetja në Facebook.
“E para, ministrja e drejtësisë konstatoi krye në vete se Astrit është vra. E dyta, që Astrit Deharin e ka vra pushteti i PDK-së. Dhe e treta, e kolektivizoi fajin. Fajin kolektiv e caktojnë vetëm pushtetet diktatoriale, në demokraci faji është individual”.
Tutje, ajo ka thënë se kjo akuzë më së miri e shpërfaq mënyrën se si ministrja e percepton drejtësinë.
“Mënyra se si foli Albulena Haxhiu dje, e dëshmoi edhe njëherë se çka do që vjen prej saj është vetëm hakmarrje e aspak drejtësi. E kjo mendësi përfundimisht nuk kalon!”, ka përfunduar Deliu-Kodra. /Telegrafi/