Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu ka reaguar pas deklaratave të deputetit Haki Abazi në lidhje me rastin Astrit Deharit.
Deliu thotë se zhdukja e mostrave të Astrit Deharit është zhdukje e të vërtetës për rastin tragjik të tij.
“Dy muaj pas zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit nën pushtetin qeverisës të Albin Kurtit dhe Albulena Haxhiut, kuptojmë nga një deputet i shumicës parlamentare se krerët e institucioneve kanë dijeni për përmbajtjen e kamerave të sigurisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore”, ka shkruar deliu në Facebook.
Deputetja opozitare ka ftuar prokurorinë që të veprojë, pavarësisht se sipas saj mund të përballet me presion nga Qeveria.
“I bëjë thirrje prokurorisë që të veproj në mënyrë të pavarur, me efikasitet dhe profesionalizëm për të hetuar dhe zbardhur këto pretendime, e mos të s’mbrapset as përballë presioneve e kërcënimeve që mund t’i marrë nga ky pushtet, bartësit e të cilit, derisa janë të gatshëm që t’i kërcënojnë publikisht prokurorët në sallat e gjyqit (siç ndodhi para disa ditësh), mund të bëjnë gjithçka jashtë tyre”.
Jo ka kërkuar dorëheqjen e ministres Albulena Haxhiu për të garantuar një proces hetimor të pavarur.
“Dorëheqja ose shkarkimi i Ministres së Drejtësisë, është hapi i parë dhe i domosdoshëm për të mundësuar proces hetimor të pavarur e të besueshëm”, ka shkruar tutje Blerta Deliu./Telegrafi/