Site icon Telegrafi

Deklarata e Berishës për Daily Mail, Rama: Politikanët që luftën politike e eksportojnë në mediat e huaja janë llum

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar sërish në Twitter lidhur me deklaratat e ish-kryeministrit, Sali Berisha të publikuara nga media britanike Daily Mail.

Artikullit i Daily Mail citon Berishën që e cilësonte Shqipërinë si vendin më të rrezikshëm në Evropë.

Në përgjigje të këtij artikulli, Rama tha se politikanët që “luftën politike e eksportojnë në mediat e huaja, janë një llum ku jo besimi po as vështrimi nuk duhet hedhur”.

“Çfarë shqiptari je kur ia beson votën dhe përfaqësimin tënd dikujt që sulmon Shqipërinë në gjuhë të huaj? Politikanët që s’kanë asnjë dinjitet me të huajt dhe që luftën politike e eksportojnë në mediat e huaja, janë një llum ku jo besimi po as vështrimi nuk duhet hedhur!”, ka shkruar Rama në Twitter.

Sakaq ditën e djeshme Rama i cilësoi si trup deklaratat e Berishës dhe tha se vetëm shërbëtorët e së keqes mund të lëshojnë në gjuhë të huaj deklarata të tilla kundër Shqipërisë.

“Vetëm shërbëtorët e së keqes, jashtënxjerrjet e një kombi, pjellat e mbrapshta të sojit të lig që e ndjek pas si hija e një mallkimi këtë vend qysh prej 1912-ës, mund të lëshojnë në gjuhë të huaj deklarata të tilla kundër Shqipërisë!”, shkroi Rama në postimin e djeshëm në Twitter.

“Ky është një moment kur Shqipëria është kthyer në vendin më të rrezikshëm në Ballkan dhe Evropë” është deklarata që ka marrë gazeta Britanike nga deklaratat e ish kryeministrit Berisha. /Telegrafi/

Exit mobile version