Dëmtohet rruga regjionale Ferizaj-Gjilan

Banorët e disa lokaliteteve të komunës së Ferizajt po vazhdojnë të ankohen se rruga regjionale Ferizaj-Gjilan është dëmtuar në masë të madhe dhe askush nuk po angazhohej për riparimin e saj. Telashet më të mëdha po paraqiten për banorët e fshatrave Dardani, Sojevë, Mirosalë dhe Zllatar të cilat e frekuentojnë vazhdimisht këtë aks të rrugës.
Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe shoqëria civile “Avonet” duke kritikuar institucionet lokale dhe qendrore për mos angazhim në riparimin e këtij aksi rrugor.
“Rruga regjionale është përgjegjësi e nivelit qendror mirëpo në raste të tilla duhet të angazhohen të gjitha institucionet sepse kjo rrugë është degraduar në masë të madhe dhe po e vështirëson qarkullimin e qytetarëve. Kërkojmë nga niveli qendror të marrë masa urgjente lidhur me këtë çështje pasi që si organizatë kemi pranuar ankesa të vazhdueshme nga qytetarët”, ka thënë nëpërmjet një reagimi, drejtori i kësaj organizate Kenan Gashi.
Edhe Besim Ahmeti banor në rrethin e Ferizajt ka thënë se për çdo ditë e frekuenton këtë aks të rrugës pasi që punon në Gjilan.
“Unë çdo ditë shkoj në Gjilan përgjatë kësaj rruge dhe jam i shqetësuar se po bëhen kaq shumë vite që askush nuk është angazhuar për riparimin e saj. Është mirë që niveli qendror ta ketë parasysh sepse është rrugë e frekuentuar në masë të madhe, madje kjo rrugë lidhet edhe me kampin e KFOR-it, “Bondsteel””, është ankuar ai.
Në anën tjetër Telegrafi është në pritje të përgjigjeve nga ministria e Infrastrukturës, lidhur me këtë çështje./Telegrafi/




















































