Deda: Vija e kuqe Thaçit do t'i vendoset së pari në Kuvend, pastaj edhe me protesta masive qytetare

Deputeti i Alternativës, Ilir Deda ka theksuar se aventura e presidentit të Kosovës në raport me Serbinë, mund të interpretohet si delegjitimim i mendimit të GJND-së se pavarësia e Kosovës ishte e drejtë.
Ai këto komente i ka bërë në profilin tij në Facebook.
Sipas tij, aventura e Thaçit, do të thotë se njohja e pavarësisë së Kosovës nga më shumë se 110 shtete, del që kanë qenë të gabuar.
Më poshtë mund ta lexoni postimin e plotë të Dedës:
Sipas të drejtës ndërkombëtare, aventura që e ka ndërmarrë Thaçi në proces me Serbinë interpretohet kështu:
- Kosova e zhbën njëanshëm të drejtën e shpalljes së pavarësisë dhe e delegjitimon mendimin pozitiv të GJND-së për ligjshmërinë e pavarësisë tonë;
- E kthen Kosovën ne rrafsh të kërkimit të aprovimit të ndarjes së vet si provincë nga Serbia;
- Humbet e drejta për kërkim të dëmshpërblimit të luftës, kthimit të Fondit Pensional të Kosovës;
- Prona publike në Kosovë duhet të ndahet me Serbinë, përfshi këtu pasuritë nëntokësore;
- Më shumë se 110 njohje të pavarësisë së Kosovës deri sot del që kanë qenë të gabuara, sepse janë bërë duke e njohur të drejtën e Kosovës për pavarësi, pa marrë parasysh qëndrimin e Serbisë;
- E rikuptimëson intervenimin e NATO’s dhe të gjitha proceset ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë deri sot.
Kosova duhet të jetë më e fortë me çdo kusht për mposhtjen e shtetshkatërruesit. Vija e kuqe Thaçit i vendoset së pari në Kuvend me 4 shtator, e mandej edhe në protesta masive qytetare. /Telegrafi/




















































