Deçani përfiton mbi 2.6 milionë euro për projektin e Banimit Social Adekuat

Komuna e Deçanit është shpallur përfituese e projektit të Banimit Social Adekuat, një program me rëndësi të madhe sociale që financohet nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, me vlerë totale prej 2,640,000 eurosh.
Ky investim do të mundësojë realizimin e tre nën-projekteve që synojnë mbështetjen direkte të familjeve dhe individëve në nevojë:
- Ndërtimin e njësive të reja të banimit social,
- Renovimin e shtëpive private për familjet dhe individët e cenueshëm,
- Rindërtimin e shtëpive të dëmtuara për kategoritë e ndjeshme të banorëve.
Sipas Komunës së Deçanit, projekti pritet të përmirësojë dukshëm kushtet e jetesës për qytetarët që përballen me vështirësi ekonomike dhe sociale, duke garantuar mbështetje të qëndrueshme dhe më shumë siguri në strehim.
Institucioni komunal ka bërë të ditur se do të vazhdojë me përkushtim zbatimin e politikave sociale gjithëpërfshirëse, me qëllim që çdo familje të ndjehet e mbështetur dhe e vlerësuar. /Telegrafi/
















































