Site icon Telegrafi

Deçani e befasoi Prishtinën, Rahoveci fiton në Mitrovicë – rezultatet e xhiros së 14 në Superligën e hendbollit

(Foto: kosovahandball.info)

Ashtu si pritej, xhiroja e 14-të e Superligë së Kosovës në hendboll ka dhënë rezultate dhe ndeshje shumë interesante. Ndeshjet e xhiros së 14-të, të fundit për stinorin vjeshtor, u luajtën të mërkurën mbrëma. Befasinë e madhe e ka shkaktuar Deçani që e ka mposhtur Prishtinën me rezultat 29-27.

Deçanasit nisën herët shkëputjen, ndërsa epërsia në pjesën e parë në disa raste ishte pesë gola. Në pjesën e dytë Prishtina u afrua disa herë në një gol, por pa mundur të barazoi rezultatin. Në fund rezultati ishte 29-27.

Fatlind Mazrekaj i ka shënuar 19 gola për Deçanin. Katër i shënoi Ilir Thaqi. Te Prishtina, Sergio Barreto i shënoi shtatë gola. Gjashtë i kishte Hamdi Salihu.

Dramatike ishte edhe ndeshja mes Vëllaznimit dhe Kastriotit, dy skuadrave me traditë. Dhe ajo nuk dha fitues, përfundoi 30-30. Arbër Neziri i shënoi nëntë gola për Vëllaznimin, kurse tetë i kishte Ardi Halili. Granit Fana e Florian Rexha i shënuan nga pesë gola.

Te Kastrioti, Festim Mustafa i shënoi tetë gola, ndërsa gjashtë i kishte Drilon Bega.

Fitore të madhe ka shënuar Rahoveci, që e mposhti Trepçën në Mitrovicë me rezultat 31-29. Ndeshja ishte e fortë dhe interesante deri në fund. Por vreshtarët shfaqën më shumë dhe morën dy pikë të vlefshme.

Mali Luzha shënoi tetë gola për Rahovecin, ndërsa nga gjashtë i kishin Alban Haziri e Marley De Carvalho Fernandes. Yassine Henahen i shënoi 10 gola për mitrovicasit.

Vushtrria pa telashe fitoi ndaj Llapit, me rezultatin 46-27.

Exit mobile version