Dajaku: Nuk ka cilësi në futboll pa investime

Njëri nga futbollistët më të mirë të kësaj skuadre Taulant Dajaku, ka folur për problemet dhe sfidat të cilat e presin këtë skuadër në sezon të ri. Ai ka thënë se Drenica do të vazhdojë të jetë skuadër e cila mund të jetë shumë e papërshtatshme për skuadrat kundërshtare.
“Futbolli kosovar gjithmonë ka pasur kriza financiare e mungesë të kushteve elementare. Fatkeqësisht disa skuadra po vazhdojnë ende të ballafaqohen me këto probleme. Nuk është vetëm ekipi i Drenicës i cili është përballë me kriza të tilla. Nëse në një skuadër nuk ka organizim të mirëfiilltë të pashmangshëm, janë edhe problemet. Prandaj duhet të mundohemi të fillojmë të ndërtojmë diçka që do të ketë vazhdimësi dhe pse jo edhe qëndrueshmëri.
Për t’u kthyer në gjendje të mirë, duhet që së bashku me gjithë klubin të tentojmë të konsolidohemi, edhe pse ndoshta me vonesë janë bërë disa gjëra. Do të mundohemi që gjatë gjithë kohës të përmirësohemi ngadalë në mënyrë që të arrijmë të kemi një kampionat të suksesshëm”, ka deklaruar për KosovaLive, futbollisti Dajaku.
Duke u bazuar në përforcimet të cilat skuadrat e Super Ligës kanë bërë këtë edicion të ri, mesfushori i klubit të Drenicës beson se këtë kampionat do të ketë një rivalitet më të madh mes klubeve.
“Mund të ketë rivalitet më të madh sepse ekipet kanë bërë përforcime të shumta. Sa për cilësi është shumë herët të flitet. Nëse nuk ka investime, atëherë nuk do të këtë as cilësi. Rëndësi nuk duhet dhënë vetëm anës financiare, por edhe shkollimit të gjeneratës së re e po ashtu edhe çështjeve tjera organizative e infrastrukturore.
Skuadra e Drenicës ka një ndërthurje të lojtarëve me eksperiencë me futbollistë të rinj që kanë motiv për të treguar veten. Duke parë këtë gjë mendoj se gjërat do të na ecin mbarë, ne do të tentojmë që çdo herë nga loja në lojë të përmirësojmë gjerat në mënyrë që të jemi ekip stabil”, ka shtuar, mesfushori i KF Drenica.
KF Drenica ndeshjen e parë në këtë kampionat do ta zhvillojë ndaj ekipit të Lirisë duel ky i cili zhvillohet të dielën në Prizren. /Kosovalive/



















































