Ndonëse jo zyrtarisht, por mund të themi që në Shëngjin ka nisur sezoni turistik. Stina e ngrohtë ka nisur herët në bregdetin e Lezhës e cila në ditët e para të muajit maj, ka pritur një numër të konsiderueshëm pushuesish kryesisht shqiptarë të Kosovës, raporton Tv Klan.

Ditët e para të Majit kanë nisur me një fluks të lartë të turistëve dhe vizitorëve në vijën bregdetare të Lezhës.


Temperaturat e ngrohta, koha e kthjellët, dhe çmimet më të favorshme të kësaj periudhe kanë nxitur vizitorë nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe qytete të ndryshme të Shqipërisë të rezervojnë që tani pushimet pranë detit.

Xhulio Nikolli, menaxher i një prej resorteve në zonë, thotë se fluksi është i ndjeshëm që në këtë fazë të sezonit.

Për operatorët turistikë dhe bizneset lokale, kjo është një shenjë pozitive se sezoni veror do të jetë i gjatë dhe i suksesshëm për ekonominë bregdetare të Lezhës.