Gjenerali amerikan Wesley Clark ka përfunduar dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ku deklaroi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ishte një organizatë terroriste, por një grup njerëzish që refuzuan shtypjen serbe në vitet ’90.

Clark theksoi se UÇK-ja luftoi kundër një regjimi “të padrejtë dhe të jashtëligjshëm”, ndërsa shtoi se ish-presidenti Hashim Thaçi nuk mund të mbahet përgjegjës për aktet e dhunës individuale pasluftës, shkruan “Betimi për Drejtësi”.


“Personat duhet të luftojnë për të drejtat e tyre. UÇK-ja bëri pikërisht këtë. Ata rezistuan shtypjes serbe dhe nuk ishin terroristë”, tha Clark.

Ai shtoi se, sipas vlerësimit të tij, Thaçi nuk kishte komandë apo kontroll mbi UÇK-në dhe se akuzat ndaj tij nuk janë të qenësishme.

Gjatë dëshmisë, Clark tha se Ramush Haradinaj ishte një komandant shumë i fuqishëm dhe i pavarur, gjë që e çoi atë në përfundimin se UÇK-ja nuk kishte një zinxhir klasik komandimi.

“Këta ishin personalitete të forta, që merrnin vendime nga të cilat varej jeta e familjeve të tyre. Nuk kishte strukturë të qartë komande”, u shpreh ai duke shtuar se NATO kishte pasur vështirësi në bashkëpunim pikërisht për këtë arsye.

Clark i cilësoi akuzat për trafikim organesh si “absurde” dhe “dezinformim rus”.

“S’kishte kurrfarë logjike që gjatë bombardimeve të NATO-s dikush të merrej me heqje organesh. Kjo ishte thjesht propagandë”, tha ai, duke sqaruar se burimi i këtyre pretendimeve ishin persona rusë që i kishin ofruar materiale në vitin 1998.

Prokurori Mat Halling e sfidoi Clarkun duke thënë se ai “nuk di mjaftueshëm” për aktivitetet e UÇK-së për të vlerësuar akuzat ndaj Thaçit.

Clark kundërshtoi, duke thënë se UÇK-ja funksiononte në mënyrë të decentralizuar dhe se Thaçi nuk kishte pasur kontroll hierarkik.

“Po, unë besoj se akuzat nuk janë të qenësishme”, deklaroi ai. /Telegrafi/