Mbi 11 mijë biznese të reja u regjistruan në Kosovë nga janari deri në tetor të këtij viti - një shifër kjo që nga Qeveria në detyrë shihet si sinjal i gjallërisë ekonomike.

Për ekspertët, megjithatë, numrat nuk tregojnë gjithë rrëfimin.


Rritja e ekonomisë, sipas tyre, nuk matet me sa biznese hapen, por me sa prodhohet, sa shitet dhe sa eksportohet.

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, e përshkroi këtë trend si “tregues të shëndetit të mirë të ekonomisë”.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duke shpërndarë të njëjtin mesazh, tha se gjatë mandatit të tyre “numri i bizneseve të reja të regjistruara është ngritur vit pas viti”, duke e paraqitur këtë si dëshmi të një ekonomie në zgjerim.

Por, njohësit e fushës së ekonomisë, Lulzim Rafuna dhe Shpend Ahmeti, shohin një tjetër realitet pas këtyre shifrave optimiste.

Sipas tyre, struktura e bizneseve të reja nuk përbën dëshmi të rritjes së qëndrueshme ekonomike.

Shumica dërrmuese e tyre janë mikro-biznese - shpesh me kapacitet të kufizuar punësimi dhe prodhimi.

Vetëm në tetor, nga 1.125 biznese të reja, 1.116 ishin mikro-ndërmarrje me deri në nëntë të punësuar, ndërsa vetëm nëntë u klasifikuan si biznese të mesme - me 50 deri në 249 punëtorë, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Asnjë ndërmarrje e madhe, me mbi 250 punëtorë, nuk u regjistrua në atë muaj.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, thotë se ky model është i njëjtë prej vitesh: hapen shumë biznese të vogla, por pak prej tyre rriten dhe diversifikojnë ekonominë.

“Shumica janë start-up. Është pozitive që të rinjtë, viteve të fundit, po tregojnë interes gjithnjë e më të madh për të hapur biznese, por këto nuk mund të kenë ndikim të menjëhershëm në ekonominë e përgjithshme”, thotë Rafuna.

Shpend Ahmeti, bashkëthemelues i platformës Data4X, që mbledh dhe analizon të dhëna ekonomike, thotë se rritja ekonomike nuk matet me numrin e bizneseve të reja, por me qarkullimin real të bizneseve.

Të dhënat e Data4X tregojnë se nga janari në shtator të këtij viti, ka pasur rënie të qarkullimit pikërisht te sektorët e prodhimit dhe tregtisë - dy motorët e vërtetë të ekonomisë.

I vetmi sektor me rritje qarkullimi ka qenë ai i furnizimit me energji elektrike.

Lajmin e plotë në REL.