Gjendja kaotike në Venezuelë vetëm sa është duke u përkeqësuar. Mediat botërore raportojnë se kryeqyteti i këtij vendi, Karakasi, që nga e enjtja pasdite ka mbetur pa energji elektrike, por ky terr është zgjeruar edhe në pjesë tjera të vendit.

E për mungesën e energjisë elektrike, qeveria e presidentit Nicolas Maduro është duke e akuzuar opozitën. Megjithatë, situata e tensionuar në këtë vend dita ditës është duke u rritur, e opozita është duke bërë të pamundurën që ta heq rrëzojë nga pozita presidentin Nicolas Maduro, transmeton Telegrafi.


2 38

Maduro me këmbëngulje po akuzon opozitën dhe Juan Guaidó, që sipas tij ka organizuar gjithçka përfshirë këtu fikjen e energjisë elektrike. Por, kështu nuk mendon Guaido i cili është i bindur se mungesa e energjisë elektrike është pasojë e "kaosit dhe zhgënjimit", dhe sipas tij tregon qartë se "uzurpatori i vendit është i paaftë".

3 26

"Energjia elektrike do të rikthehet në momentin që do të bie nga pushteti Maduro", ka deklaruar Guaido para gazetarëve.

E në anën tjetër, Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, sa i përket mungesës së energjisë elektrike e ka akuzuar Maduron.

"Nuk ka ushqim, barna. Tani nuk ka edhe rrymë. Së shpejti nuk do të ketë as Maduro", ka shkruar Pompeo në Twitter.

4 20

Si pasojë e këtij terri që e ka pushtuar pjesën e madhe të Venezuelës, janë anuluar shumë fluturime nga aeroporti kryesor i Karakasit, kurse qindra punonjës të aeroportit janë detyruar të rikthehen në shtëpitë e tyre në këmbë.

Ndërkaq, Maduro sot ka urdhëruar ndërprerjen e mësimit nëpër shkolla si punën në korporata të ndryshme, me qëllim që të mos ketë shpenzime të mëdha sa i përket energjisë elektrike.

E sipas zyrtarëve të lartë të kompanisë që merret me shpërndarjen e rrjetit të energjisë elektrike, shkaku i mungesës së rrymës ka ndodhur pas sabotimit në hidrocentralin më të madh të Venezuelës, "Simon Bolivar". /Telegrafi/