Site icon Telegrafi

Çfarë mund të na mësojë Frojdi për Lindjen e Mesme dhe #MeToo?

Sigmund Freud

Nga: Jacqueline Rose / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Në vitin 1935, Frojdi [Sigmund Freud] i shkroi një nëne të shqetësuar se homoseksualiteti i dyshuar i djalit të saj nuk ishte arsye për vajtim: “asgjë për t’u turpëruar, asnjë ves, asnjë degradim. Nuk mund të klasifikohet si sëmundje”. Nëse djali i saj do të ndjente pakënaqësi dhe do të ishte neurotik, analiza mund ta çlironte nga shqetësimi dhe ta ndihmonte të bënte një jetë më kreative, por nuk mund dhe nuk duhet të synonte ta bënte atë “heteroseksual”. Nuk ka asnjë “terapi konvertimi”, siç do të thoshim sot. Në një rast tjetër, Frojdi theksoi se homoseksualiteti nuk duhet të përdoret si arsye për t’u paraqitur në gjykatë.

Tronditëse për kohën e tyre, këto deklarata tregojnë një aspekt më pak të njohur të shkrimit të Frojdit. Ato shfaqen për herë të parë në anglisht në botimin standard të rishikuar të veprave të plota psikologjike të Frojdit – një botim shumë i pritur dhe një sukses akademik i cili ka qenë në përgatitje për tri dekada nën redaktimin e Mark Solmsit. Lexuesit tani kanë qasje në një bibliografi të plotë të shkrimeve të Frojdit, e cila është zgjeruar nga 368 artikuj në botimin e mëparshëm standard, të mbikëqyrur nga James Strachey, në 1730 sot. Ky botim, në një kohë kur çështjet e seksualitetit dhe luftës janë më të ndërlikuara se kurrë, tregon se Frojdi ende ka shumë për të na thënë.

Siç thotë Solms, psikanaliza në thelb është një akt ose art përkthimi, pasi përpiqet të nxjerrë të pavetëdijshmen nga errësira, të dëgjojë historitë e pavetëdijshme që ngurtësojnë shpirtin dhe t’i ndihmojë ato të kalojnë në një formë më pak shqetësuese. Përkthimi është i rëndësishëm jo vetëm për sfidat që paraqet rishikimi i përkthimeve të mëparshme të Frojdit, por edhe si pjesë e mendimit dhe shkrimit të vetë Frojdit që shfaqet pothuajse kudo.

Merrni parasysh çështjen e dallimeve seksuale. Për Frojdin, foshnja fillon nga një gjendje e paditurisë së lumtur se bota pritet të ndahet në vajza dhe djem. Si, pyeti Frojdi, dalin gruaja dhe burri si identitete të dallueshme, duke përkthyer veten nga një gjendje foshnjore që kërkon kënaqësi në të gjitha drejtimet, të cilën Frojdi e përshkroi si “perversitet polimorf”. Një përgjigje, sipas Frojdit, duhet të jetë me siguri një pyetje tjetër. Apo jo? “Ne nuk e dimë”, pranon Frojdi, “bazën biologjike të këtyre veçorive tek gratë” – me të cilën ai nënkuptonte kompleksitetin e rrugës seksuale të grave – “dhe akoma më pak jemi në gjendje t’u japim atyre ndonjë rëndësi teleologjike”. Dhe, përsëri, “maskuliniteti dhe feminiteti i pastër mbeten konstruksione teorike të përmbajtjes së pasigurt”. Pra, po, ka meshkuj dhe femra biologjikë, por kjo na jep vetëm informacion të kufizuar për jetën e tyre në vazhdim. Ose, thënë ndryshe, për pyetjen se çfarë do të bëhet dikush si qenie seksuale, nuk mund të thuhet asgjë përfundimtare.

Po aq vendimtare, dhe më pak e komentuar, është këmbëngulja e Frojdit për koston e kalimit të vajzës në normë, të cilën ai e përshkruan si “shkatërrimtare” dhe “katastrofike” – terma me intensitet skandaloz, të cilët më kënaqi shihja që nuk ishin reduktuar në një shënim në botimin e rishikuar. Ky tranzicion mund të shihet si një devijim i imponuar. Zhvendosja nga një jetë dhe identitet seksual i mëparshëm, i lirë dhe i paqartë, në kornizën e ngurtë të dallimeve seksuale. Një përkthim që sjell tronditje për sistemin.

Teksa kam parë se si intensifikohen debatet e fundit mbi “çfarë është një grua?”, më ka shkuar në mendje se Frojdi kishte diçka për të thënë, jo vetëm për paqëndrueshmërinë e dallimeve seksuale, por edhe për dhunën ndaj grave, edhe pse, pas studimeve të tij të hershme mbi histerinë, kjo rrallëherë ishte tema e tij eksplicite. Një nga rastet e para të Frojdit ishte ai i Katarinës, të cilën ai e takoi në një shpat mali – ndoshta e vetmja hapësirë e hapur, sugjeron Frojdi, ku ata do të kishin qenë mjaft të lirë për të zhvilluar bisedën e tyre, në të cilën ajo zbuloi abuzimin nga babai i saj.

Çfarë ndodh nëse e vendosni rastin e Katarinës përkrah evolucionit të mendimeve të Frojdit mbi seksualitetin dhe përpiqeni t’i mbani ato së bashku? Atëherë, mund të shihni një lidhje me lëvizjen jetike #MeToo, e cila ekspozon abuzimin e grave dhe vajzave të reja nga burrat. Ky abuzim mund të shihet si një mënyrë për të imponuar “të vërtetën” seksuale se një grua është thjesht një grua, duke e lënë atë pa alternativa seksuale, përveç normave shtrënguese dhe shtypëse – norma të cilat në çdo gjë tjetër që kam përshkruar në punën e Frojdit mbeten si çështje të hapura.

Pra, ka njerëz që mendojnë se gratë janë biologjikisht gra, pavarësisht nga gjithçka tjetër, derisa të vijë “mbretëria”. Dhe, ka të tjerë, kryesisht burra, dhuna e të cilëve ndaj grave është gjithnjë e më e dukshme, veprimet e të cilëve mund të interpretohen si një mohim, edhe pse jo gjithmonë me vetëdije, i pasigurive më të thella të Frojdit për atë që mund të jetë një grua, apo çdo person tjetër. Mendoni për rastin e Gisèle Pelicotit, të droguar dhe në koma, bashkëshortin e saj Dominique Pelicot dhe më shumë se 50 bashkëpunëtorët e tij meshkuj; dhunimi i saj mbart të gjitha shenjat e një përpjekjeje të dëshpëruar për ta degraduar dhe për t’i mohuar asaj identitetin e saj si grua. Asnjë njohuri apo vetëdije për atë që po ndodhte, asnjë ndërgjegje.

Për të marrë një çështje tjetër me rëndësi të madhe, për kohën tonë: si duhet të mendojmë për armikun në kohë lufte? Sot ne jetojmë në një botë të përfshirë nga lufta, dhe një botë ku e ardhmja e njerëzimit kërcënohet nga konflikte, qoftë në luftërat që po ndodhin në të gjithë Afrikën, kërcënimet bërthamore nga Rusia, apo masakrat e vazhdueshme të popullit të Gazës nga Izraeli, pas sulmit të Hamasit më 7 tetor. Pse, pyet Frojdi, diçka që e kishte shqetësuar thellë në vitin 1914 dhe sërish në vitet 1930, kombet, me gjithë rrezikun që kërcënon shuarjen e specieve njerëzore, vazhdojnë të shkojnë drejt luftës, të pandalshme?

Në esenë e tij të vitit 1914, Qëndrimi ynë ndaj vdekjes, Frojdi përshkruan të ashtuquajturat kultura “primitive”, në të cilat luftëtari i kthyer pikëllon armikun e tij të vrarë jashtë portave të qytetit, përpara se të ripranohej në komunitetin e tij, duke zbuluar kështu “një damar të ndjeshmërisë etike që ka qenë humbur nga ne njerëzit e qytetëruar”. Urdhrat më të hershëm etike, veçanërisht “’Mos vrit’, vijnë në jetë në procesin e zisë për të vdekurit, të cilët duheshin dhe urreheshin, dhe gradualisht u shtrinë te të huajt që nuk duheshin dhe më në fund edhe tek armiqtë”. Por, vazhdon Frojdi, “këtë shtrirje përfundimtare të urdhrit nuk i përjeton më njeriu i qytetëruar”. Duke ikur nga urrejtjet e veta, njeriu i qytetëruar nuk arrin ta përfshijë armikun brenda busullës së tij morale dhe botës së brendshme.

Në luftën për dekolonizim, përfshirë kritikën e momenteve etnocentrike të Frojdit, këto rreshta qëndrojnë ende. Si me dallimet seksuale, mund të themi se një vijë ose pengesë në renditjen shtypëse të botës – midis burrave dhe grave, midis armiqve dhe të dashurve, midis civilizimit dhe “primitivëve” – po mjegullohet. Një nga çështjet për të cilat po luftohet në lidhje me konfliktin në Lindjen e Mesme ka të bëjë me etikën e luftës, pikërisht në mënyrën që e përshkruan Frojdi: kush ka të drejtë të pikëllohet dhe të brengoset?

Në hyrjen e përgjithshme të botimit të ri, Solms përshkruan vështirësinë e papërshkrueshme të nxjerrjes në dritë të pavetëdijes. Ne po flasim për gjëra “të panjohura”. Çfarë është kjo “diçka për të cilën nuk jemi në gjendje të krijojmë koncept”? Unë personalisht do të kisha dëshiruar shumë më tepër nga ky dimension i pakapshëm, pothuajse poetik, që të kishte hyrë në përkthimin e rishikuar të Frojdit. Ndërkohë, sa i përket dallimeve seksuale dhe atyre që shpesh ndihen si gjendje të pafundme lufte, duket më urgjente se kurrë që këto çështje të mbahen të hapura si pyetje, të cilat Frojdi ende na i shtron sot të gjithëve. /Telegrafi/

Exit mobile version