Çeku i përgjigjet Ramës: Prishtina superfuqi financiare, viktimizimi strategji e dështuar elektorale

Në kuadër të ciklit të veçantë të “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, ku kandidatët për kryetar të Prishtinës po paraqesin vizionet e tyre për kryeqytetin, mysafir i radhës ishte kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrulla Çeku.
I pyetur nëse partia e tij ka bllokuar punën e kryetarit aktual Përparim Rama, Çeku e hodhi poshtë këtë pretendim, duke e cilësuar si “strategji të dështuar elektorale të viktimizimit”.
“Votuesi i Prishtinës historikisht e ka ndëshkuar arrogancën dhe mospunën. Viktimizimi është propagandë, nuk ka asnjë fakt ligjor apo dokumentar që dëshmon bllokim nga ana jonë”, tha ai.
Duke folur për projektin e unazës së jashtme, Çeku theksoi se Komuna e Prishtinës ka buxhet prej 150 milionë eurosh, “më shumë se gjysma e ministrive”, por sipas tij nuk ka ndërmarrë as hapat e parë për sigurimin e trasesë dhe shpronësimet.
Ai vuri në dukje se vonesat në miratimin e buxhetit nga Komuna nuk janë rezultat i bllokadave politike, por procedurave ligjore që kërkojnë kalimin e ndryshimeve përmes Parlamentit.
“Fitore me mashtrim, qeverisje me PR dhe përfundim me improvizime e viktimizim – kështu mund ta përmbledh mandatin e Përparim Ramës”, deklaroi Çeku.
Sa i përket investimeve të qeverisë qendrore në Prishtinë, ai akuzoi Komunën për mosndarje të parcelave publike, duke thënë se kjo ka penguar realizimin e dhjetëra milionë eurove projekte në infrastrukturë, arsim, kulturë e sport.
“Qytetarëve të Prishtinës u janë mohuar investime të mëdha vetëm pse Komuna nuk ka ndarë hapësirat. Megjithatë, Ministria e Kulturës ka realizuar projekte të shumta në trashëgimi kulturore, sport e qendra rinore. Po të isha unë bllokues, nuk do të kishte asnjë investim”, përfundoi Çeku.




















































