Kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, Bujar Cakolli ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për vjedhje votash në Gjilan.
Cakolli thotë se eksponentët e lartë të VV-së kanë manipuluar komisionerët duke shumëfishuar votat, transmeton Telegrafi.
“Vjedhje industriale të votës paska pasur edhe në mesin e ‘engjujve’ të VV-së. Në vendvotimin 0401X/14 në Gjilan, pas rinumërimit po del se eksponent të lartë VV-së kanë manipuluar komisionerët duke shumëfishuar votat e tyre”, ka thënë ai në reagimin e tij në Facebook.
Gjithashtu, kandidati i PDK-së ka kërkuar rinumërimin e votave.
“Shikoni tabelën më poshtë dhe bindeni se s’ka rrugë tjetër përpos RINUMËRIMIT”, thotë mes tjerash ai.
Ndryshe, zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 14 shkurt, ku sipas rezultateve përfundimtare LVV është partia fituese, pastaj PDK në vendin e dytë dhe LDK në vendin e tretë. /Telegrafi/