Cakolli: Nuk mund të thirret seancë e jashtëzakonshme pa dekretim të mandatarit

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka deklaruar se aktualisht nuk ka bazë ligjore për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit, pa u dekretuar mandatar i ri nga Presidentja e vendit.
Në një postim në Facebook, Cakolli ka sqaruar se pas dështimit të votimit për qeverinë, hapi i radhës duhet të jetë zhvillimi i konsultimeve të Presidentes me partitë politike, për të vendosur nëse dhe kujt do t’i jepet mandati i dytë.
“Jo, nuk mund të thirret seancë e jashtëzakonshme tani për tani! Derisa të përfundojë kjo procedurë dhe të ketë dekret për mandatarin, Kuvendi nuk ka bazë dhe rrethana për t’u mbledhur për çfarëdo votimi, përfshirë atë të qeverisë. Nënshkrimet që po përmenden nuk kanë efekt juridik jashtë procesit të konsultimeve”, ka shkruar Cakolli.
Sipas tij, nënshkrimet e deputetëve mund të kenë vetëm rol orientues gjatë bisedimeve me Presidenten, por nuk krijojnë bazë për veprim institucional.
“Ato mund të shërbejnë vetëm si provë gjatë bisedimeve me Presidenten, në kuadër të ‘kritereve mbizotëruese’. Për më tepër, për të dëshmuar shumicën nevojiten 61 nënshkrime të verifikuara, jo vetëm 40 sosh për thirrje të seancës”, ka sqaruar ai.
Cakolli ka shtuar gjithashtu se seanca e jashtëzakonshme nuk mund të thirret as për miratimin e ligjit për buxhetin.
“Detyra e parë dhe e patejkalueshme e Kuvendit pas zgjedhjeve është zgjedhja e Qeverisë, jo miratimi i ligjeve. Mbi të gjitha, vetëm një Qeveri e kësaj legjislature mund të propozojë projektligj për buxhetin”, ka përfunduar Cakolli.

















































