Vendimi i Kushtetueses, Cakolli i KDI-së: Votimi për Kryetarin e Kuvendit, i hapur, jo i fshehtë
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka komentuar vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese për krizën në Kuvendin e Kosovës, duke e cilësuar atë si një aktgjykim që sado që ofron disa sqarime të rëndësishme, lë ende shumë çështje pa përgjigje.
“Gjykata Kushtetuese foli për krizën në Kuvend – por jo aq sa duhej, dhe jo për gjithçka që pritej”, tha Cakolli.
Ai vlerësoi se në disa pika vendimi ishte i qartë, ndërsa në të tjera, “jo mjaftueshëm, thënë së buti”. Sipas tij, ky është një vendim që “kënaq” të gjitha palët, por nuk u jep zgjidhje të plotë asnjërës.
Cakolli theksoi se problemi më i madh mbetet mungesa e kulturës politike për konsensus dhe kompromise.
Ai renditi gjashtë pika kryesore nga aktgjykimi:
Afati për konstituim: deri më 26 korrik
Gjykata ka caktuar një afat 30-ditor për përfundimin e konstituimit të Kuvendit, një hap pozitiv për të ndalur zvarritjet.
Por, sipas Cakollit, nuk është sqaruar se çfarë ndodh nëse afati nuk respektohet. “Kemi afat, por jo pasoja – dhe kjo është formula ideale për një bllokadë të re,” theksoi ai.
LVV ka të drejtë të propozojë, por edhe përgjegjësi të mos bllokojë
Gjykata ka qartësuar se e drejta për të propozuar Kryetarin e Kuvendit është e lidhur me arritjen e shumicës.
“Nuk mund të propozohet vazhdimisht i njëjti emër për t’u refuzuar – kjo përbën abuzim,” tha Cakolli, duke shtuar se bashkëpunimi në mirëbesim është detyrim kushtetues.
Edhe opozita ka detyrime – sidomos për nënkryetarët
Sipas aktgjykimit, Gjykata ka theksuar se edhe opozita ka detyrimin e bashkëpunimit dhe nuk mund ta përdorë bllokadën si arsye për të mos ushtruar funksionin si deputetë.
Votimi për Kryetarin: i hapur, jo i fshehtë
Gjykata ka qartësuar se votimi për kryesinë e Kuvendit duhet të jetë i hapur.
“Votimi i fshehtë lejohet vetëm kur parashikohet në Kushtetutë, e rasti i konstituimit nuk është një prej tyre,” tha Cakolli, duke shtuar se praktika e deritanishme ka qenë gjithnjë votim i hapur.
Pa kufi për ripërsëritjen e kandidaturës së njëjtë
Cakolli kritikoi mungesën e një pozicioni të qartë për përsëritjen e kandidaturës së njëjtë që nuk merr vota.
“Gjykata nuk vendosi asnjë kufi për këtë absurd – kjo është pika më e brishtë e aktgjykimit,” tha ai.
Presidentja mund t’i drejtohet sërish Gjykatës në rast bllokade
Sipas Cakollit, vendimi i tanishëm krijon një precedent që lejon Presidenten të kërkojë interpretim kushtetues në rast të një bllokade tjetër.
“Ky është një rrugë kushtetuese që mbetet e hapur, nëse deputetët nuk e zbatojnë vendimin.”
Cakolli u shpreh se aktgjykimi i fundit është më shumë një mesazh paralajmërues sesa zgjidhje përfundimtare, dhe se përgjegjësia e vërtetë bie mbi kulturën politike të aktorëve në Kuvend./Telegrafi/





























